Macron dëshiron të shpëtojë Europën. Por së pari do t’i duhet të shpëtojë Francën

Emmanuel Macron njoftoi ardhjen e tij në skenën botërore majin e kaluar, duke u kapur fort pas Donald Trump dhe duke mos e lënë t’i ikë. Presidenti më i ri francez i të gjitha kohërave ishte në detyrë prej 11 ditësh, kur u takua me Trump në një Samit të NATO-s në Bruksel. Trump është i njohur për përpjekjen për të dominuar politikanët e tjerë me një shtrëngim agresiv, por Macron ia ktheu me të njëjtën mënyrë, duke ia shtrënguar fort dorën, ndërsa Trump u përpoq të tërhiqej. Macron më pas i bëri vërejtjet e tij në frëngjisht, edhe pse flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Trump, pa kufje përkthimi në vesh, përshëndeti me kokë. Pika ishte e qartë: Macron nuk do të dominohej nga askush.

Strategjia e tij duket se ka funksionuar. Një zyrtar i pallatit presidencial Elysée thotë se Macron dhe Trump kanë krijuar një marrëdhënie të fortë. Zyrtarët e administratës amerikane thonë se Presidenti francez është bërë një zë me influencë për Trump në Iran, Siri dhe tregti. Me gjithë dallimet e qarta në karakter, ata janë dy të huaj, të cilët kanë pak durim për hijeshinë diplomatike, thotë zyrtari francez. Kjo u lejon atyre të bëjnë biznes, edhe kur nuk janë dakord.

Trump e ka shpërblyer Macron, 40 vjeç, me vizitën e parë zyrtare shtetërore të presidencës së tij, më 23-25 prill. Macron arrin në Uashington në një përqasje më të mirë me Trump sesa me homologun gjerman, kancelaren Angela Merkel, e cila vizitoi Shtëpinë e Bardhë më 27 prill, por vetëm për një ditë. Sulmet ajrore aleate kundër Sirisë ishin një fitore diplomatike për Macron, i cili ishte avokati i parë dhe më i fuqishëm për një reagim ushtarak ndaj sulmit kimik të dyshuar kundër civilëve, duke konfirmuar pozitën e tij si një nga homologët e huaj më të besuar të Trump.

Gjermania mori një qortim nga ambasadori i ardhshëm i Trump në vend, Richard Grenell, për refuzimin për t’iu bashkuar koalicionit. “Macron është i vetmi udhëheqës i madh europian që ka një marrëdhënie pune me Trump”, thotë Martin Quencez, një anëtar në Fondin Gjerman Marshall të SHBA. “Kjo i jep [Francës] një pozitë më të fortë përballë Berlinit”.

Nëse Macron mund ta pengojë Trump të përparojë në rrugën drejt një lufte tregtare, kjo do t’i sjellë atij kapital politik dhe do të jetë në gjendje të pozicionohet ndërsa ndjek dy ambiciet e tij të mëdha: të reformojë Francën që i ka rezistuar ndryshimit për 30 vjet dhe të ndryshojë rënien relative të Europës. Qëllimi i tij është rivendosja jo vetëm e muskujve ekonomikë të kontinentit, por ideja aspiruese se Bashkimi Europian mund të jetë një superfuqi e bashkuar.

Ky kusht është vënë në provë gjatë viteve të fundit, së pari nga kriza e borxheve sovrane, më pas nga fluksi i refugjatëve që iknin nga lufta dhe terrorizmi në Lindjen e Mesme dhe në fund, votimi i Brexit në vitin 2016. Të rraskapitur nga kompromiset që duhen për rizgjidhjen e këtyre problemeve, pjesa më e madhe e liderëve europianë tani janë të etur për të ruajtur pushtetin sovran dhe jo për të përqafuar planin e Macron për një bashkim më federal. “Fati i Europës po vendoset tani”, – tha Macron në një intervistë për televizionin francez më 15 prill. “Përgjegjësia ime është të arrij këtë ambicie në emër të Francës dhe për këtë arsye, po ndërmarr gjithë këto reforma, po bëj gjithë këto ndryshime”.

Ndërkohë që ndjek ëndrrat për Europën, Macron ka shumë punë për të bërë në vendin e tij. Franca ka papunësi të lartë tepër kokëfortë, barrën e dytë më të lartë të taksave në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomi, një bazë industriale të vjetruar dhe një lëvizje populiste të zjarrtë. Një ekonomi e përshpejtuar e ndihmoi atë të rikthejë mbrojtjen në punë dhe të ulë taksat për investitorët, por tani po përballet me pengesat e para të mëdha në planin 10-vjeçar për të ndryshuar Francën dhe Europën (po, ai duket se do të marrë një mandat të dytë).

Punëtorët në kompaninë shtetërore hekurudhore mbyllën pjesën më të madhe të rrjetit të trenave në prill dhe kanë programuar ndërprerje javore në qershor, ndërkohë që luftojnë planet e Macron për të reformuar ndërmarrjet. Studentët po protestojnë kundër kufizimeve në të drejtat e tyre, pilotët dhe ekipet e kabinës të Air France po protestojnë për pagat. Një studim i publikuar nga kanali informativ televiziv më i ndjekur i Francës tregon se 74% e të anketuarve besojnë se politikat e Macron janë “të padrejta” dhe 77% thonë se po ndajnë shoqërinë franceze. Vlerësimi i tij i aprovimit ra në rreth 40% në fillim të prillit, ndryshe nga fillimi i vitit, me 47%. Macron nuk është dekurajuar. “Unë dua t’i ndryshoj gjërat dhe nuk do të ndalem” tha ai në televizionin francez në një intervistë tjetër këtë muaj. Ai do ta çoj “deri në fund”.

Një Francë më e fortë do të ndihmonte Macron të sfidonte vizionin e Merkel për Europën si një bashkësi kombesh dhe ta bindë atë se mund të bëhet superfuqi ekonomike më e integruar. Ai parashikon një njësi sovrane, “Shtetet e Bashkuara të Europës” në të gjitha qëllimet përveç emrit, që mund të përafrohet me Shtetet e Bashkuara në inovacion dhe sipërmarrje dhe ta përdorë për të mbrojtur industritë dhe punëtorët. Europa e Macron do të impononte mbrojtje të përbashkët të punës dhe mbrojtjes së mjedisit përgjatë bllokut. Kjo do t’i detyronte gjigantët e teknologjisë të paguajnë pjesën e taksave që u takon dhe të zbatojnë kufijtë e jashtëm për të kontrolluar fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve./monitor/

SHKARKO APP