Maqedonia, jashtë binarëve
Maqedonia gjithnjë e më tepër po largohet nga rruga që shpie drejtë Bashkimit Evropian, njofton agjencia e lajmeve INA.
Raportet e progresit për vite me radhë nuk dallojnë aspak njëri me tjetrin. Kritika të shumta nga Komisioni Evropian në të gjitha fushat, përfshirë, drejtësinë, korrupsionin, krimin e organizuar, mediat, ekonominë…
Njohësitë e zhvillimeve politike thonë se për shkak të politikave destruktive, vendi po ec në korsi të gabuar.
Ish- kryeministri i Maqedonisë, Lupco Georgievski thotë se mungesa e dialogur dhe kulturës politike po e largojnë shtetin nga integrimet euroatlantike.
“Maqedonia asnjëherë nuk ka qenë në situatën që është tani. Edhe në kohën e konfliktit të armatosur vendi i ka qëndruar besnik rrugëtimit euro-atlantik. Tani edhe njëra palë edhe tjetra po luajnë për jetë ose vdekje. Opozita po nxjerr gjithçka që ka, kurse pushteti nuk ka argument tjetër: o do të luftojë deri në fund, o do të duhet të shkojë në burg. E tërë situata është shumë shqetësuese”, vlerëson Georgievski.
Ai konsideron se po qe se në dy-tri ditët vijuese arrihet ndonjë marrëveshje, kemi gjasa të vazhdojmë përpara, përndryshe, siç tha Georgievski, do të hyjmë në binarë pa fund.
Analistja Malinka Ristova – Jordanova, nga Instutitu për politikë evropiane thotë se, problemi në të cilin gjendet vendi ka të bëjë me mungesën e vullnetit të qeverisë për ti tejkaluar vërejtjet që burojnë nga raportet e deritanishme të BE-së.
„Raporti i kaluar kritikonte mungesën e pavarësiusë së gjyqësorit, politizimin e administratës, lirinë e medieve si dhe raportet ndëretnike. Në të gjitha këto fusha nuk kemi ndonjë progres, thekson ajo.
Ndërkohë eksperti për çështje evropiane Muhamer Pajaziti, thotë se tani më dialogu i brendshëm politik konsiderohet si kriter më kryesor politik që duhet të përmbushë Maqedonia për të ecur më tutje me procesin e eurointegrimeve.
“Maqedonia ka bërë progres në disa fusha, por nuk i ka përmbushur kriteret politike. Nevojitet përforcimi dhe qëndrueshmëria e dialogut politik me qëllim që të arrihet funksionaliteti efektiv i institucioneve politike, posaçërisht Parlamentit. Një problem janë edhe problemet ndëretnike. Pa një barazi mes shqiptarëve dhe maqedonasve Maqedonia nuk shkon askund”, nënvizon Pajaziti.
Më tutje ai e vlerëson si të domosdoshëm një koordinim të të gjithë mekanizmave në vend për përmbushjen e kritereve drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit, pasi që pengesat në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të jenë të madha.
Pajaziti pret një bllokim të ardhshëm të negociatave nga Bashkimi Evropian nëse Maqedonia nuk do lëviz për të mirë dialogu politik.
“Institucionet e vendit duhet të ndërtojnë një kulturë politike e cila prodhon marrëveshje, angazhim të përbashkët dhe energji për të krijuar një rritje më të shpejtë ekonomike. Përndryshe Brukseli zyrtarë do ta bllokoj komunikimin me kreun shtetëror të Maqedonisë, siç edhe ndodhi rasti me anulimin e takimit të paralajmëruar të presidentit të Komisionit Evropian, Zhan Klode Janker ”, thekson eksperti i çështjeve evropiane, Muamer Pajaziti.