Matteo Renzi rrezikon kabinetin Conte

Fati i qeverisë italiane është në fije të perit këtë javë në mesin e një përballjeje mes kryeministrit Giuseppe Conte dhe aleatit të tij në koalicion, dhe ish-kryeministrit Matteo Renzi. Ky i fundit ka kërcënuar se do të tërheqë partinë e tij të vogël Italia Viva nga shumica qeverisëse nëse qeveria ndryshon drejtim për sa i takon përpjekjeve për të rikthyer në jetë ekonominë e brishtë të Italisë. Renzi i ka kërkuar Kontes edhe që të heqë dorë nga kontrolli mbi shërbimet sekrete dhe që qeveria të përshpejtojë shpërndarjen e vaksinave antiCovid.

Conte deri më tani i ka rezistuar presionit duke thënë javën e kaluar se ishte i gatshëm të përballej me Renzin në parlament. Sidoqoftë, Conte po organizon një takim mes liderëve të partive për të diskutuar për një rifreskim të qeverisë.

Dita kyçe është 7 janari kur Conte do të kërkojë mbështetje nga ministrat për planin e rimëkëmbjes që mund të çojë partinë e Renzit të dalë nga koalicioni dhe të shkaktojë një krizë qeveritare. Renzi ka qenë kryeministër nga viti 2014 deri në 2016-ën, de fakto orkestroi koalicionin e udhëhequr nga Conte të Partisë Demokratike të qendrës së majtë dhe lëvizjes pesë yjet, pas shembjes së qeverisë së mëparshme mes lëvizjes “5 Yjet” dhe “Ligës së Veriut” të Mateo Salvinit në gusht 2019.

Renzi asokohe la Partinë Demokratike dhe krijoi Italia Viva, që ka dy ministra në qeveri dhe rreth 3 për qind të votave në publik. Ai tha të hënën se ministrat e tij nuk ishin pjesë e qeverisë për përfitime, por sepse kanë ide. Nëse këto ide nuk do të pëlqehen, atëherë ata do të lënë postet që mbajnë.

SHKARKO APP