Mbi 400 mijë të infektuar kanë humbur jetën nga Covid-19

Numri i vdekjeve nga koronavirusi, në nivel global, ka kaluar shifrën 400 mijë, ndërkaq numri i të infektuarve ka arritur në afro 7 milionë.

Amerika Latine vazhdon të jetë një nga rajonet që po goditet më së keqi nga koronavirusi, teksa dy shtete me popullsi të madhe, India dhe Indonezia kanë raportuar rritje të rasteve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Universiteti Johns Hopkins më 7 qershor raporton se numri i viktimave nga COVID-19 ka arritur në 400,013 persona.

Ndërkaq, mbi 6,9 milionë persona në mbarë botën janë infektuar me koronavirus.

Në Shtetet e Bashkuara janë shteti më i goditur, me mbi 109 mijë persona të vdekur nga koronavirusi, ndërkaq 1,9 milionë janë infektuar.

Brazili është vendi ku pandemia po përhapet më shumë aktualisht. Vendi ka mbi 650 mijë të infektuar dhe rreth 36 mijë viktima.

Në Kinë, ku u paraqitën rastet e para me koronavirus në fund të vitit të kaluar, po raportohet për raste të reja, ndonëse nuk është konfirmuar vërtetësia e shifrave të raportuara.

SHKARKO APP