Mbi 4200 të vdekur nga COVID-i në 24 orët e fundit në Indi, rreth 401,000 raste infektimesh
Një analizë e sekuencës gjenetike e varianteve të koronavirusit që dominojnë aktualisht në Indi tregon se varianti britanik dhe varianti vendas me dopio mutacione, i njohur si Maharashtra, janë shkaktarë të shtimeve akute të infektimeve në qytetin teknologjik Bengalore. Këtë njoftim e bëri një nga 10 laboratoret studimore në Indi që po analizon shkaqet e valës akute të përhapjes së koronavirusit në vend.
Ministria e Shëndetësisë në Indi njoftoi të shtunën mbi 401,000 raste të reja infektimesh dhe afro 4200 të vdekur gjatë 24 orëve të fundit.
Ekspertë të shëndetit publik besojnë se shifrat reale të përhapjes janë edhe më të larta dhe se piku i infektimeve mund të shënohet në fund të muajit.
Megjithëse shtetet veriore dhe perëndimore të Indisë janë goditur më rëndë aktualisht, duket se jugu i vendit po shkon me shpejtësi drejt një situate kritike.
Bengalore, ku kanë qendrat e tyre të operimeve rajonale kompanitë Google, Amazon dhe Cisco, ka regjistruar përhapje në komunitet të varianteve të reja që në fund të marsit, por situata u bë akute rreth dy javë më parë, tregon studimi.
“Varianti i ri është shumë më ngjitës, prandaj në këtë valë të re po infektohen pesë herë më shumë njerëz se në valën e mëparshme,” tha të premten një ekspert mjekësor.
Infektimet po përhapen tani nga qytetet me popullatë të dendur në zonat rurale ku jeton afro 70% e popullsisë prej 1.3 miliardë banorësh.
India, një ndër vendet e fuqishme prodhuese të vaksinave, nuk ka arritur të imunizojë popullatën me ritme të shpejta kundër COVID-it. Mungesa e vaksinave, shpjegojnë ekspertët, është një ndër arsyet për përhapjen e shpejtë të infektimeve dhe shfaqjen e mutacioneve të reja.
Bashkimi Evropian u bëri thirrje të premten Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera prodhuese të vaksinës kundër COVID-19 të eksportojnë sasitë e tepërta të vaksinës, ashtu siç bën BE-ja, në vend të fjalëve për të pezulluar patentat e vaksinave.
Presidentja e Komisionit Evropisn Ursula von der Leyen tha në një konferencë për shtyp se diskutimet për pezullimin e patentave nuk ofrojnë as edhe një dozë të vetme në të ardhmen e afërt.
“Duhet t’i hapim diskutimet mbi këtë temë. Por në këto diskutime duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të prodhojmë vaksina për të gjithë botën,” tha ajo.
“Bashkimi Evropian është i vetmi rajon demokratik i botës që po eksporton në shkallë të gjerë,” tha ajo.
Zonja von der Leyen tha se rreth 50% e vaksinave që prodhohen në Evropë eksportohen në rreth 90 vende, përfshirë për programin COVAX që u ofron vaksina vendeve me të ardhura të ulëta.
Udhëheqësja evropiane tha se BE-ja ishte në vazhdën e ndarjes së vaksinave, duke përmendur 615,000 doza që i ka dërguar Ballkanit Perëndimor.