McCain, letër lamtumire

LETËR LAMTUMIRE

Senatori John McCain, i cili vdiq të shtunën në moshën 81-vjeçare nga kanceri në tru, ka lënë një letër lamtumire për bashkëkombasit e tij.

“Jetova dhe u largova nga jeta si një amerikan krenar,” shkruan McCain.

“Ne e dobësojmë madhështinë tonë kur ngatërrojmë patriotizmin tonë me rivalitetet klanore që kanë mbjellë armiqësi, urrejtje dhe dhunë në të gjitha anët e globit. Ne e dobësojmë atë kur fshihemi prapa mureve, në vend që t’i rrëzojmë ato, kur dyshojmë në fuqinë e idealeve tona, në vend që t’u besojmë atyre si forcë e madhe për ndryshim, ashtu siç kanë qenë gjithmonë,” thuhet në letër.

“Ne jemi treqind e njëzet e pesë milionë individë, secili me mendimin e vet dhe që debatojmë zhurmshëm. Ne zihemi dhe konkurojmë madje nganjëherë fyejmë njëri-tjetrin në debatet tona të ashpra publike. Por gjithnjë kemi pasur shumë më tepër gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin sesa mosmarrëveshje. Nëse e ngulisim këtë në mendje dhe i japim njëri-tjetrit të kuptojë se ne të gjithë e duam vendin tonë, atëherë do të arrijmë t’i kapërcejmë këto momente sfidash dhe do të dalim prej tyre më të fortë se më parë, ashtu si gjithmonë.”

“Mos e humbni shpresën nga vështirësitë e tanishme, por besoni gjithmonë në premtimin dhe madhështinë e Amerikës, sepse këtu asgjë nuk është e pashmangshme. Amerikanët kurrë nuk largohen nga gara. Ne kurrë nuk dorëzohemi. Kurrë nuk i fshihemi historisë. Ne bëjmë histori.”

“Lamtumirë, vëllezër amerikanë. Zoti ju bekoftë dhe Zoti e bekoftë Amerikën”, përfundon letra e Senatorit McCain.

FLAMURI MBI SHTËPINË E BARDHË

Flamuri mbi Shtëpinë e Bardhë, i cili u ul gjatë fundjavës në gjysmë shtizë si shenjë respekti për senatorin John McCain, u ngrit përsëri i plotë, por të hënën pasdite u ul përsëri.

Ngritja e flamurit mbi Shtëpinë e Bardhë u prit me kritika nga e majta dhe e djathta, duke përfshirë organizatën e veteranëve American Legion.

Ndërkohë, flamuri në selinë e Kongresit vazhdon të jetë në gjysmë shtizë për nder të senatorit të Arizonës.

Presidenti Donald Trump ka shprehur ngushëllimet e tij në Twitter për familjen e senatorit McCain, por deri të hënën pasdite nuk kishte lëshuar një proklamatë për nder të tij.

Të hënën pasdite ai lëshoi një deklaratë ku thoshte: “Megjithë mosmarrëveshjet tona politike, unë e respektoj shërbimin që Senatori John McCain i ka bërë vendit dhe për nder të tij kam nënshkruar një proklamatë për të ulur flamurin amerikan në gjysmë shtize deri në varrimin e tij. I kam kërkuar nënpresidentit Mike Pence të mbajë një fjalim në ceremoninë për nder të senatorit McCain në ndërtesën e Kapitolit të premten”.

Presidenti Trump dhe Senatori McCain kanë shkëmbyer prej kohe kritika mes tyre.

Kodi i Flamurit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon që flamujt të ulen “në ditën e vdekjes dhe të nesërmen e asaj dite për një anëtar të Kongresit.”

Megjithatë, sipas një tradite të hershme, për njerëzit me kontribut të shquar për vendin, flamuri qendron i ulur deri në varrimin e tyre.

Në vitin 2009, pas vdekjes së Senatorit demokrat Ted Kennedy, Presidenti Barak Obama urdhëroi uljen në gjysmë shtize të flamujve në ndërtesat qeveritare, të cilët qëndruan ulur për disa ditë.

Presidenti Trump nuk iu përgjigj gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë kur u pyet nëse e konsideronte senatorin e ndjerë një hero.

CEREMONI NË ARIZONA DHE UASHINGTON

Senatori John McCain, i cili vdiq të shtunën pas një beteje të gjatë me kancerin e trurit, do të nderohet me ceremoni në Arizona dhe Uashington.

Trupi i tij do të vendoset së pari në kapitolin e shtetit të Arizonës, ku të mërkurën do të mbahet një ceremoni private, me rastin e 82-vjetorit të ditëlindjes.

Të enjten, në një kishë baptiste të qytetit Feniks do të mbahet një shërbim përkujtimor privat me pjesmarrjen e publikut.

Në Uashington, ku flamujt në institucionet e ndryshme janë ngritur në gjysmë shtizë, trupi i senatorit McCain do të vendoset të premten në ndërtesën e Kapitolit, ku njerëzit do të bëjnë homazhe.

McCain do të jetë senatori i 13-të amerikan, trupi i të cilit nderohet në sallën rrethore të Kapitolit, një nder që u rezervohet “qytetarëve më të shquar” të vendit, sipas zyrtarëve të Kapitolit.

Të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit do të mbahet një shërbim përkujtimor, ku do të flasin ish-presidentët Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush.

Senatori McCain do të prehet në Varrezat e Akademisë Detare në Anapolis të shtetit Marilend, pranë mikut më të ngushtë që ai kishte gjatë viteve të Akademisë detare, Admiralit Chuck Larson./VOA/

SHKARKO APP