Media pro-qeveritare në Maqedoni sulmon ndërmjetësin e BE-së
Pasi ai paralajmëroi liderët maqedonas se po i shmangen një marrëveshjeje për reformat, media pro-qeveritare kanë vënë nën shënjestër ndërmjetësuesin e BE-së, Peter Vanhoutte.
Nga Sinisa Jakov Marusic, BIRN
Media e parë si e afërt me kryeministrin Nikola Gruevski ka akuzuar ndërmjetësuesin e BE-së, Peter Vanhoutte si paragjykues, duke vënë në pikëpyetje kredencialet e tij profesionale dhe duke e akuzuar atë për marrje ryshfeti.
Disa e kanë akuzuar belgun për marrje ryshfeti nga një burim i pazbuluar për të mbrojtur pikëpamjet e Social Demokratëve në opozitë.
Press 24 në një artikull të titulluar “Si paragjykimi i Vanhoutte është paguar” pretendon se karriera e tij ishte shumë modeste ndaj ai ishte lehtësisht i korruptueshëm… sepse ai nuk ka besueshmëri për të humbur.
Sulmet vijnë pasi ndërmjetësuesi të mërkurën paralajmëroi se bisedimet partiake për reformat ishin në telash. Ndërmjetësuesi tha se një marrëveshje krize mund të mos arrihej dhe se Maqedonia mund ta gjente veten të izoluar si Bjellorusia – nëse liderët nuk ia dilnin të binin dakord mbi reforma kyçe deri në fundjavë.
Ai nuk përjashtoi mundësinë që SHBA-ja dhe BE-ja të vinin sanksione duke ngrirë llogaritë bankare jashtë shtetit të politikanëve si dhe futjen e tyre në listën e zezë.
E përditshmja Vecer shkoi edhe më larg me sulmet e saj në një artikull të titulluar “Belgu Vahoutte sot braktisi vendin dhe institucionet shetëtore,” duke pretenduar se ndërmjetësuesi synonte të shkatërronte institucionet e Maqedonisë.
“Synimi i tij nuk është të largojë VMRO DPMNE apo Nikola Gruevskin, por institucionet kyçe të Maqedonisë,” shkroi e përditshmja.
Media pro-qeveritare ka kërkuar zëvendësimin e tij, duke pretenduar gjithashtu se ai përfaqëson qëndrimet e tij, jo të Brukselit dhe Uashingtonit, kur ndërmjetëson një zgjidhje të krizës maqedonase.
Brukseli po bën më të mirën për të shpërfillur ngjarjen. Zëdhënësja Maja Kocijançiç i kërkoi të enjten partive politike në Maqedoni ta mbajnë vëmendjen te problemet themelore.
Ajo tha se Brukselit i vjen keq për përpjekjet e shpërqendrimit të vëmendjes nga çështjet themelore duke sulmuar ata që po përpiqen të ndihmojnë.
Vesna Shopar, një profesoreshë e shkencës së komunikimit në Institutin e Shkupit për Studimet e Komunikimit, tha se sulmet nuk ishin të pazakonta për Maqedoninë.
“Sulmet e orkestruara si ky kundër “tradhtarëve vendas” ndodhin shpesh. Risia e vetme këtu është se sulmi është një përfaqësues i huaj,” tha ajo.
Kriza në Maqedoni rrotullohet rreth pretendimeve për përgjim masiv nga qeveria e kryeministrit Nikola Gruevski, i cili ka qëndruar në pushtet që nga viti 2006.
Opozita ka paralajmëruar se nëse bisedimet dështojnë, do të publikojë më shumë biseda inkriminuese nga përgjimet e zyrtarëve të lartë.
Partia në qeveri VMRO DPMNE ka lëshuar po ashtu kërcënime, “nëse SDSM vazhdon me sjelljen e saj shkatërrimtare dhe anti-shtetërore”, duke thënë se po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtetuese.