Miliarderi japonez dhuron 8,6 milionë dollarë si ndihmë humanitare për Ukrainën

Miliarderi japonez Hiroshi Mikitani është zotuar se do të dhurojë një miliard jen (8,6 milionë dollarë amerikanë) si ndihmë humanitare për Ukrainën.

“Mendimet e mia janë me ju dhe popullin e Ukrainës”, shkroi kreu i gjigantit japonez “Rakuten” platforma online e tregtimit të aksioneve përmes aksesit në pajisjet desktop, celular dhe ueb, në një letër drejtuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të dielën.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për sulmin ushtarak kundër Ukrainës”, shkroi ai.

“Unë besoj se shkelja e një Ukraine paqësore dhe demokratike me forcë të pajustifikuar është një sfidë për demokracinë”, shtoi ai.

Ai tha se po i dhuronte paratë qeverisë ukrainase për aktivitete humanitare për të ndihmuar njerëzit në Ukrainë që janë viktima të dhunës.

Mikitani tha se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj.

56-vjeçari zotëron edhe klubin japonez të futbollit Vissel Kobe, për të cilin ai punësoi kampionin gjerman të botës në futboll, Lukas Podolski disa vite më parë.

SHKARKO APP