Miliona votues amerikanë zgjedhin mes demokrates Harris dhe republikanit Trump

Miliona amerikanë shkuan në qendrat e votimit të martën për të zgjedhur presidentin që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Votuesit amerikanë do të vendosin nëse Nënpresidentja Kamala Harris do të bëhet presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara, ose do të rikthejnë në Shtëpinë e Bardhë ish Presidentin Donald Trump, i cili humbi zgjedhjet në vitin 2020.

Anketat e opinionit tregojnë se demokratja Harris dhe republikani Trump ndodhen përballë një prej garave më të ngushta presidenciale në dekada. Fituesi i zgjedhjeve e fillon mandatin katërvjeçar në janar të vitit 2025. Sipas analistëve, rezultati përfundimtar ka të ngjarë të përcaktohet nga vota në shtate shtete, që cilësohen fushëbetejë. Sondazhet tregojnë se rivalët gëzojnë një mbështetje pothuajse të barabartë, me rreth 2% dallim nga njeri-tjetri.

Në varësi të avantazhit të votave, dhe shpejtësisë së numërimit të fletëve të votimit në shtetet kyçe, ka gjasa që fituesi i mundshëm të njoftohet vonë të martën ose herët të mërkurën. Megjithatë, gara e ngushtë ka rritur shanset që fituesi të mos dihet në natën e zgjedhjeve. Rezultati në Dixville Notch, një fshat në Nju Hempshër, cili sipas traditës, i hap qendrat e votimit menjëherë pas mesnate, duke u bërë i pari që voton dhe shpall rezultatet, mund të jetë një paralajmërim i asaj që mund të ndodhë në ditën e zgjedhjeve. Në Dixville Notch, ku ka vetëm 6 votues të regjistruar, vota u nda në mes, tre për zotin Donald Trump dhe tre për zonjën Kamala Harris.

Në garën presidenciale të vitit 2020 u deshën katër ditë për të shpallur fituesin e zgjedhjeve presidenciale. Megjithatë, zoti Trump ka pretenduar pa fakte, se nëse ai humb, kjo do të ndodhte për shkak të manipulimit të votave. Fushata e zonjës Harris është përgatitur për mundësinë që ai të shpallë fitoren përpara se të dihet fituesi të martën mbrëma apo të mos pranojë rezultatin, nëse ajo i fiton zgjedhjet. Katër vjet më parë, zoti Trump nisi një përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, që përfundoi me një sulm më 6 janar 2021 ndaj Kapitolit.

Republikani Trump, 78 vjeç, i kaloi orët e para të ditës së zgjedhjeve në shtetin fushëbetejë të Miçiganit. Ai i dha fund fushatës me një tubim natën vonë në Grand Rapids, një bastion republikan ku ai u dha fund garave presidenciale në vitin 2016 dhe 2020. “Jemi në formë shumë të mirë. Më duhet t’ju them se ne jemi në avantazh për sa i përket votimit”, tha zoti Trump në një fjalim pas mesnatës. Ai ngriti pretendimet se Harris dhe demokratët mund të fitonin vetëm përmes manipulimeve.

“Atyre u duhet të manipulojnë, dhe e bëjmë mirë këtë gjë”, tha zoti Trump. Ai fajësoi zonjën Harris, gjë që e ke përsëritur gjatë gjithë fushatës, për çmimet e larta të konsumit dhe fluksin e emigrantëve pa dokumente që janë futur në Shtetet e Bashkuara. Republikani Trump, i cili votoi personalisht të martën, po e kalon ditën në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida. Ai ka në plan të ndjekë rezultatin e zgjedhjeve në West Plam Beach.

Demokratja Harris, 60 vjeçe, i dha fund fushatës me një tubim të hënën mbrëma në qytetin e Filadelfias, ku këngëtarja e njohur Lady Gaga, grupe muzikore dhe ish-prezantuesja e famshme e emisioneve televizive, Oprah Winfrey, shprehën mbështetjen për kandidaten demokrate. Nënpresidentja Harris nuk e përmendi emrin e zotit Trump në fjalimi e saj në një tubim me rreth 30, 000 pjesëmarrës, duke thënë se “sonte e mbyllim fushatën ashtu siç e nisëm, me optimizëm, energji, dhe gëzim, duke e ditur se ne populli kemi fuqinë për të vendosur për të ardhmen tonë”. Zonja Harris do ta ndjekë procesin zgjedhor dhe publikimin e rezultateve në Universitetin Howard në Uashington, ku është diplomuar për çështjet ekonomike dhe shkencat politike në vitin 1986. Zonja Harris tashmë ka votuar me postë në Kaliforni.

SHKARKO APP