Ministri francez: Vaksinat ruse dhe kineze, rrezik për unitetin e bllokut dhe shëndetin publik

Një ministër i kabinetit francez u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të mos i përdorin vaksinat ruse ose kineze për COVID-19n, nëse ato nuk miratohen nga rregullatori i BE-së për barnat.

Ministri i Çështjeve Evropiane, Clement Beaune paralajmëroi të premten se vaksinat ruse dhe kineze përbëjnë rrezik për unitetin e bllokut dhe për shëndetin publik.

Pas një fillimi të vështirë të fushatës së vaksinimit, që e la Bashkimin Evropian prapa disa vendeve të tjera si Britania, disa shtete anëtare në Evropën Qendrore kanë blerë ose po shikojnë mundësinë për të blerë vaksina ruse ose kineze.

Swiss Digital Desktop Reklama

I pyetur nëse secili vend anëtar po bënte thjesht “atë që dëshironte”, Ministri Beaune tha për radion RTL: “Nëse zgjedhin vaksinën kineze ose ruse, kjo mendoj se do të ishte mjaft serioze”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai tha se kjo “do të përbënte problem në kuptimin e solidaritetit tonë dhe do të paraqiste një rrezik për shëndetin, sepse vaksina ruse nuk është ende e autorizuar në Evropë”.

BE-ja deri tani e ka bërë prokurimin e vaksinave në mënyrë të centralizuar, përmes organit të saj ekzekutiv, Komisionit Evropian.

Megjithatë vaksina ruse Sputnik V është miratuar ose po vlerësohet për miratim në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.

Hungaria tashmë ka filluar imunizimin e njerëzve me vaksinën kineze Sinopharm dhe atë ruse, ndërsa Polonia po diskuton për blerjen e vaksinës kineze.

Rregullatori evropian i barnave EMA, tha të enjten se kishte filluar një vlerësim të vaksinës Sputnik V. Por edhe nëse miratohet, Komisioni Evropian nuk ka asnjë detyrim që ta përfshijë atë në listën e tij.

Evropa deri tani ka miratuar vaksinat Pfizer / BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca / Oxford, ndërkohë që vazhdon punën për vlerësimin e vaksinave kandidate CureVac dhe Novavax.

EMA pritet të shpallë vendimin e saj mbi vaksinën me një dozë të vetme me Johnson & Johnson më 11 mars.

Hungaria ishte vendi i parë i BE-së që miratoi për përdorim emergjent vaksinën ruse në janar; Sllovakia ka porositur kontingjente të vaksinës, ndërsa Kryeministri Çek, Andrej Babis, ka thënë se vendi i tij mund të marrë masa për të përdorur vaksinën Sputnik V.

Rajoni italian i Lazios tha se do të kërkonte 1 milion doza të vaksinës ruse, nëse miratohet nga EMA, ndërsa qeveria e enklavës së vogël të pavarur të San Marinos tha se kishte filluar përdorimin e vaksinës ruse këtë javë.

Presidenti polak Andrzej Duda gjithashtu ka biseduar me udhëheqësin kinez Xi Jinping për blerjen e vaksinës kineze.

Disa në Rusi e kanë quajtur vaksinën Sputnik V si një “urë” të mundshme midis Rusisë dhe Evropës. Komisioni Evropian thotë se nuk janë bërë bisedime në lidhje me blerjen e vaksinës Sputnik V.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?