Ministria e Mbrojtjes: Trupa bjelloruse po grumbullohen në kufirin me Ukrainën

Një javë pasi Bjellorusia njoftoi se po vendoste përforcime në kufirin e saj me Ukrainën, qeveria në Kiev ka konfirmuar se trupat po mblidhen përgjatë kufirit me fqinjën e saj.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se njësi të reja me tanke, artileri dhe mbrojtje ajrore u vëzhguan në rajonin Gomel të Bjellorusisë, duke u bërë thirrje përgjegjësve në Minsk “të mos bëjnë asnjë gabim tragjik për vendin e tyre nën presionin e Moskës”.

Ajo gjithashtu i bëri thirrje Minskut që të tërheqë trupat e tyre në një distancë të përshtatshme nga zona e përbashkët kufitare.

Në të njëjtën kohë, Kievi tha se nuk po planifikonte “asnjë veprim armiqësor” kundër popullit bjellorus.

Udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko, kishte njoftuar më herët përforcime trupash në kufirin me Ukrainën, duke përmendur grumbullimin e madh të trupave në anën ukrainase si arsye për këtë.

Ai pretendoi se Ukraina kishte vendosur deri në 120 000 ushtarë atje.

Minsku, i cili është aleat me Moskën, nuk është i përfshirë në mënyrë aktive në luftën kundër Ukrainës.

Megjithatë, Lukashenko autorizoi avancimin e trupave ruse nga Bjellorusia në Ukrainë në shkurt 2022.

Pas pengesave të mëdha dhe humbjeve gjatë tentativës për avancim në Kiev, këto njësi ruse duhej të tërhiqeshin./  a.jor.

SHKARKO APP