“Mizore dhe ç’njerëzore”, BE kundërshton dënimet me vdekje për vrasjen e gazetarit në Stamboll

Bashkimi Evropian ka kundërshtuar pesë dënimet me vdekje të dhëna nga autoritetet e Arabisë Saudite për vrasjen e gazetarit Khashoggi. Zëdhënësi për Politikën e Jashtme të BE, Peter Sano në një deklaratë për mediat i cilësoi këto vendime si mizore dhe ç’njerëzore.

“Bashkimi Evropian është pa mëdyshje kundër dënimit me vdekje gjithnjë dhe pa përjashtim. Dënimi i njerëzve me vdekje është një dënim mizor dhe çnjerëzor, i cili nuk arrin të veprojë si një parandalues dhe përfaqëson një mohim të papranueshëm të dinjitetit dhe integritetit njerëzor”, tha Peter Sano.

Shërbimet e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin se Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, sundimtari de fakto i mbretërisë, urdhëroi vrasjen e gazetarit Khashoggi. Riadi fajësoi për incidentin, zyrtarët e inteligjencës saudite. BE-ja theksoi gjithashtu nevojën e ndjekjes penale për të gjithë ata që ishin të përfshirë në vrasje.

“Kjo duhet të bazohet në parimet e transparencës, respektimit të procedurave ligjore dhe procesit të duhur”, tha zëdhënësi Sano.

Vrasja e gazetarit vitin e kaluar ngjalli një debat shumë të madh ndërkombëtar. Për herë të fundit, ai u pa të futet në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë disa dokumente personale, por nuk doli më i gjallë nga aty. Vrasja e tij ishte ndër më makabret, pasi u raportua se trupi i tij ishte copëtuar, ndërsa eshtrat nuk janë gjetur ende. Khashoggi ishte kritik i Princit të Kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman.

SHKARKO APP