Moska kërkon përcaktimin e grupeve terroriste që veprojnë në Siri
Moska do që në raundin e dytë të bisedimeve për Sirinë të bihet dakord për një listë grupesh terroriste që veprojnë në vend.
Duke folur sot në Sochi, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov thotë se një listë e tillë është e domosdoshme “në mënyrë që askush të mos ketë asnjë dyshim përsa i takon orientimit të secilit nga grupet e armatosura”, në Siri.
Agjencia ruse e lajmeve Tass njofton se zoti Lavrov shtoi se do të ishte “e pamundur” që të ecej përpara pa “një qartësi të plotë për këtë çështje”.
Ai tha se kur të shpallet një armëpushim me fillimin e procesit politik, “marrëveshja për armëpushim nuk do të jetë e vlefshme për organizata terroriste që do të vazhdojnë të konsiderohen objektiva legjitime”.
Raundi i dytë i bisedimeve pritet të mbahet të shtunën në Vienë.