“Mund të kemi një valë të dytë epidemie”, iranianët bëhen gati për më të keqen

Iranianëve u është thënë që “të përgatiten për më të keqen” në një kohë që vendi përballet me një valë të dytë të mundshme koronavirusi.

Republika Islamike, një nga vendet më të goditura nga pandemia në Lindjen e Mesme, nisi që të lehtësonte masat kufizuese anti-Covid në prill pas uljes së numrit të rasteve.

Por, të dielën, vendi raportoi 2,979 raste të reja me Covid-19, bilanci më i lartë që nga heqja e kufizimeve. Ndërsa, u regjistruan gjithashtu edhe 81 vdekje të tjera. Sipas të dhënave të publikuara nga zyrtarët e Shëndetit, vendi numëron 154,445 të infektuar në total dhe 7,878 viktima.

“Epidemia nuk ka përfunduar ende dhe në çdo moment mund të kthehet sërish, më e fortë se më parë,” është shprehur ministri iranian i Shëndetësisë Saeed Namaki në një intervistë për median shtetërore.

“Nëse njerëzit nuk i respektojnë protokollet e shëndetësisë…ne duhet të përgatitemi për më situatën më të keqe,” shtoi ai më tej.

Punonjësit e qeverisë u kthyen në punë dhe xhamitë në vend rifilluan lutjet e përditshme të shtunën si pjesë e lehtësimit të masave.

Por autoriteteve u desh që të rivendosnin disa prej kufizimeve në provincat jugore të Khuzestan dhe Sistan Baluchestan në mes të majit pas një rritje të rasteve me virusin korona.

SHKARKO APP