“Na e kërkon trupi”, spanjollët mposhtin ankthin e izolimit me birrë, rritet me 77% konsumi brenda javës
Që prej ditës kur qeveria spanjolle shpalli gjendjen e emergjencës nga koronavirusi Covid 19, radhët nëpër markete janë shtuar, ku një prej produkteve më të kërkuara është birra.
Konsumi i kësaj pije është rritur me 77.65 përqind krahasuar me një javë më parë, ndërkohë që konsumi i verës është rritur me 62.7%, sipas të dhënave të publikuara nga revista “Inforetail”, që mbështetet nga Shoqata Spanjolle e Shpërndarësve.
Koha e stresit dhe ankthit mund t’i ketë detyruar njerëzit të kërkojnë qetësi te birra, por edhe te çokollatat, konsumi i të cilave ka shënuar rritje në Spanjë, thonë ekspertët.
“Gjatë kohës së izolimit, trupi na kërkon birrë shoqëruar me ushqime mesdhetare”, shprehen spanjollët për mediat vendase.
“Nëse nuk mund të bëj pazar, nuk mund të shkoj në kinema, të ha nje darkë me miqte … çfarë do të bëj? Përpiqem të bëj një rutinë: Ngrihem, mëngjes, bëj stërvitje, ha mëngjes, dhe pa dyshim konsumoj birrë time”, rrëfen një spanjoll.
Një sërë kompanish të prodhimit të birrës në qytetet spanjolle, si Madridi, Granada, apo Valencia kanë njoftuar se do t’ua shpërndajnë qytetarëve birrën në shtëpitë e tyre, pa asnjë kosto shtesë për transportin, duke u kërkuar banorëve që të qëndrojnë në shtëpi gjatë kësaj kohe.
Shpërndarësit do të bëjnë dërgesat brenda një periudhe maksimale prej 48 orësh nga përfundimi i porosisë, dhe dërgesat nuk do të kenë asnjë kosto përtej asaj të produkteve të porositura.