Ndryshimet kushtetuese, lojë numrash për pushtetin dhe opozitën

Sa më afër ndryshimeve kushtetuese aq më të shpeshta kanë filluar të jenë përplasjet dhe reagimet e partive politike. Partia opozitare VMRO-DPMNE e cila shprehet hapur se nuk do votojë ndryshimet kushtetuese kërkon nga kryeministri Kovaçevski që të publikojë dokumentin se sa deputetë të LSDM-së nuk do të votojnë për amendamentet kushtetuese.

“Le ta mbyllim temën, le ta hedhin në votim dhe brenda një dite do të shihet gjithçka, kush ka deputetë dhe sa deputetë e mbështesin një ide të caktuar”, tha Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

Të njëjtën pyetje parashtrojnë edhe nga partia në pushtet LSDM ndaj kryetarit të VMRO-DPMNE, Hristian Mickovskit nëse është në dijeni të numrit të deputetëve nga VMRO-DPMNE, të cilët pritet, sipas LSDM-së, ta mbështesin rrugën evropiane të vendit.

“Tani, kur vendi po hyn në një periudhë vendimtare për integrimet evropiane, Mickoski duhet të numërojë deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët janë të gatshëm të mbështesin amendamentet kushtetuese.”

Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje opozitës që t’i bashkohet përpjekjeve për një Maqedoni të Veriut europiane dhe vazhdimin e rrugës integruese si alternativa e vetme për vendin tonë.

SHKARKO APP