Serbia mban sot një referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Beogradi ka paralajmëruar “pasoja afatgjata” nëse Prishtina nuk lejon mbajtjen e tij në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Shefi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiç, tha se ndalimi i referendumit është “kulmi i veprimeve antiserbe të qeverisë së kryeministrit Kurti”.
Autoritetet thanë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.
Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi mori vendimin ditën e djeshme për serbët e Kosovës, të cilët do të mund të votojnë në Referendumin serb për gjyqësorin në disa qytete në jug të saj. Ky vendim u publikua pak orë pasi parlamenti i Kosovës mbështeti vendimin e qeverisë, për të mos lejuar hapjen e qendrave të votimit në Kosovë, për referendumin e Serbisë mbi ndryshimet kushtetuese, që mbahet sot.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thirri mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit, një ditë pasi bashkë me Presidenten, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Parlamentit, Glauk Konjufca, refuzuan thirrjet e diplomatëve perëndimorë për të lejuar mbajtjen e referendumit edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
