Në kërkim të El Chapos

 

Joaquin Guzman, i njohur si El Chapo, është personi më i kërkuar sot në botë. Një operacion ndërkombëtar është vënë në lëvizje për të kapur kreun e një karteli të fuqishëm meksikan, pasi ai u arratis nga burgu në Meksikë.   

Guzman, shihet në videon e regjistruar në burg disa sekonda para se të zhdukej nëpër një tunel të hapur në kabinën e dushit që kishte në qeli. Tuneli arrinte deri tek një strukturë e ndërtuar jashtë perimetrit të burgut.

Në qelinë e të burgosurit u gjet një zog i ngordhur që autoritetet mendojnë se mund të jetë përdorur për të provuar cilësinë e ajrit në tunel. Vetë Guzman nuk pati problem për ta përshkuar tunelin prej afro 1500 metrash që ishte i ventiluar dhe i ndriçuar.

Deri tani janë marrë në pyetje 18 punonjës burgu lidhur me tunelin dhe arratisjen, që e ka vënë në pozitë të vështirë presidentin meksikan Enrique Pena Nieto, pasi ai e kishte trumpetuar kapjen e El Chapos si një fitore në luftën e administratës së tij kundër karteleve të drogës. Guzman kërkohej prej 13 vjetësh, që kur ishte arratisur nga burgu gjatë vuajtjes së një dënimi të mëparshëm. Joaquin Guzman është kreu i kartelit Sinaloa, një ndër më të rrezikshmit dhe më të fuqishmit të trafikut të drogës në Meksikë.

SHKARKO APP