Në Solemnitetin e Rrëshajve, Papa: E keqja e luftës nuk mposhtet nga një superfuqi, por nga dashuria

Highlights - May 24 2026 Pentecost Sunday- Holy Mass -  Pope Leo XIV
Në Solemnitetin e Rrëshajve, përmbushje e kohës së Pashkëve, Papa Leoni XIV kremtoi Meshën në Bazilikën e Vatikanit, në prani të 5 mijë vetëve. Në predikim, tregoi tre aspekte të forcës së Shpirtit, i cili na fton të lutemi për të shpëtuar nga konfliktet, për t’u shëruar “nga plaga e mëkatit” e për “ta çliruar njerëzimin nga mjerimi, që nuk shpengohet nga pasuria e pallogaritshme, por nga një dhuratë e pashtershme”.

“Shpirti i Zotit e mbush tokën, aleluja”. Asambleja e besimtarëve në Bazilikën e Vatikanit përsërit vargun e kënduar nga kori i Sikstinës të Dielën e Rrëshajëve, që kremtohet 50 ditë pas Pashkëve, për të kujtuar derdhjen e Shpirtit Shenjt nga ana e Jezusit në Çenakull mbi apostujt e mbledhur e të fshehur. “Vendi i Darkës së Mbrame dhe i tradhtisë” – deklaroi Papa Leoni në predikimin e Meshës, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, “transformohet dhe, nga varri i apostujve, bëhet për mbarë Kishën prehër i ringjalljes”. Shpirti i tKrishtit të Ngjallur, shtoi Ati i Shenjtë, “nuk derdhet një herë e më pas mjafton, por vazhdimisht”.

Të lutemi sot që Shpirti i të Ngjallurit të na shpëtojë nga e keqja e luftës, e cila nuk fitohet nga një superfuqi, por nga gjithëpushtetësia e dashurisë. Të lutemi ta çlirojë njerëzimin nga mjerimi, që nuk shëlbohet nga pasuria e pallogaritshme, por nga një dhuratë e pashtershme.

Të lutemi, vazhdoi Papa, për shërimin nga mëkati dhe për shëlbimin e popujve.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ky është hiri që u dha guxim Apostujve: na u dhëntë edhe neve, lutet ai, sot e përgjithmonë, me ndërmjetësimin e Marisë, Nënës së Kishës”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Plot me jetë

Jezusi hap dyert e çenakullit, dyert e frikës së apostujve, kalon përmes “vdekjes sonë” dhe na mbush me gëzim. Thotë: “Paqja qoftë me ju”, dhe pastaj i fryn Shpirtit Shenjt mbi dishepujt. “I Ngjalluri është plot jetë pasi ka treguar jetën e trupit të tij, si njeri i vërtetë” – thekson Papa – ai e jep atë të Zotit, si Bir i dashur nga Ati”.

Rrëshajët janë festa e Pashkëve e festa e korpit të Krishtit, që përmes hirit jemi ne.

Askush nuk përjashtohet

Papa Leoni u përqendrua, më pas, mbi tre aspekte që karakterizojnë Shpirtin Shenjt, i cili është para së gjithash, Shpirti i paqes. Një paqe që vjen nga falja dhe çon në falje: “nis me faljen e dhuruar nga vetë Jezusi, i cili ishte – shpjegon Ipeshkvi i Romës – i tradhtuar, i dënuar e i kryqëzuar nga ne”, por që të çuditë duke të dhënë, nga ana tjetër, dashurinë dhe aftësinë për të falur kë ka mëkatuar.

Ky autoritet jepet si shenjë e pajtimit universal: Zoti derdh Shpirtin e paqes nga njëri skaj i historisë në tjetrin, sepse nuk përjashton askënd Ai, që i shëlboi të gjithë nga vdekja.

Mik i ëmbël i shpirtit

“Rrëshajët – pohon Papa – kremtohen si festim i Besëlidhjes së Re, domethënë, i aleancës ndërmjet Zotit dhe mbarë popujve të tokës”. Ligji i Zotit është shkruar në zemër, “i gdhendur nga Shpirti me karaktere dashurie në korpin e Krishtit dhe në trupin e tij, që është Kisha”.

Ky ligj është kod i paqes: është urdhërimi i dyfishtë i dashurisë, të cilin Shpirti na e kujton me çdo rrahje zemre. Me zemrat tona, pra, mund të thërrasim: “Veni Sancte Spiritus”, sepse Ai na u dha tashmë. Mund ta dëshirojmë Atë, sepse  na u premtua tashmë. Mund ta mirëpresim, sepse Ai vetë është mysafiri i ëmbël i shpirtit.

Vepra e Zotit

Aspekti tjetër në të cilin u përqendrua Papa ishte Shpirti i misionit. “Si më  dërgoi Ati mua “, thotë  Jezusi, “edhe unë ju dërgoj ju”: e kjo është përfshirja në veprën e Zotit. “Shpirti Shenjt”, theksoi Papa Leoni XIV, “është dashuria e gjallë e Krishtit që na përshkon, na nxit dhe na mbështet në misionin tonë”. Në ditën e Rrëshajëve apostujt fillojnë ta shpallin Jezusin në të gjitha gjuhët e botës; veprat e tyre fillojnë me besimin, i cili “shprehet në çdo vepër të mirë, në çdo akt mëshire e virtyti”.

Prandaj, vepra e Zotit jemi ne, që vijmë këtu sot nga të katër anët e botës, të ftuar në tryezën e Zotit, të mbledhur për të dëgjuar fjalën e tij dhe të dërguar për ta dëshmuar atë kudo.

Energji të reja të jetës

“Ne jemi pjesëmarrës të Ungjillit: e gjithë Kisha – vazhdon Papa – është protagonisti i saj, jo vetëm kujdestari i saj. Me fuqinë e Shpirtit, mesazhi ynë mbushet me gëzim e shpresë, sepse ne, pikërisht ne, jemi risia e botës, drita dhe kripa e tokës. Jo të privilegjuar, por të prekur nga dhurata e Zotit, “që shenjtëron mëkatarin, shëron lebrozin, bën apostull atë, që e mohoi”.

Nga njëra anë – e shohim qartë – ka ndryshime që nuk e ripërtërijnë botën, por e plakin mes gabimeve dhe dhunës. Nga ana tjetër, megjithatë, Shpirti Shenjt ndriçon mendjet dhe zgjon energji të reja jete në zemra. Kështu e transformon historinë, duke e hapur atë për shpëtim, domethënë për dhuratën që i vetmi Zot ndan me të gjithë. Misioni i Kishës dëshmon për këtë ndarje, duke e shndërruar konfuzionin e botës, në bashkim me Zotin dhe me njëri-tjetrin.

Fjala çliruese

Aspekti i fundit i Shpirtit është ai i së vërtetës. Jezu Krishti Zot bën thirrje për unitet në Kishën e tij, e Shpirti nxit në të vërtetë “sepse frymëzon në ne, pohon Papa Leoni, kuptimin, harmoninë dhe koherencën e jetës”.

Parakliti, pra, na mbron nga çdo gjë që e pengon këtë kuptim: nga fraksionizmi, nga hipokrizia, nga tendencat që errësojnë dritën e Ungjillit. E vërteta që na jep Zoti mbetet, kështu, fjalë çliruese për të gjithë popujt,  mesazh që e shndërron çdo kulturë nga brenda.

Duke sjellë paqen e vërtetë, që është Krishti

Një Shpirt që punon pa pushim, na bën të krishterë në Pagëzim, dëshmitarë në Krezmim, shërbëtorë e barinj për popullin e Zotit në sakramentin e Urdhrave Shenjte. “Është dhënës i pushtetit, fuqisë, burim i shenjtërisë”, thekson Papa, “që shumëfishon dhuratat dhe karizmat në lutje, në vepra mëshire, në studimin e fjalës së Zotit”.Siç mëson Apostulli: “Secilit u është dhënë dukja e Shpirtit për të mirën e përbashkët” (1 Kor 12:7). Pikërisht për këtë arsye  jemi Kisha, i  vetmi trup që jeton nga Zoti dhe i shërben botës. Falë Shpirtit Shenjt, ne mund t’u sjellim të gjithëve një paqe të vërtetë, të vërtetën që shpëton, domethënë vetë Krishtin Zot.

Papa Leoni, me petkat e tij liturgjike të kuqe, ngjyrë që të kujton zjarrin dhe fuqinë shpërthyese të Shpirtit Shenjt, mban predikimin pas leximit të Ungjillit nga, të paraprirë nga Ndjekësorja. Është një këngë e lashtë liturgjike, një thirrje e përsëritur ndaj Shpirtit Shenjt, por edhe një lartim i dhuratës që përfaqëson Shpirti Shenjt: ngushëllues, strehë e rifreskues. Ndjekësorja më pas përqendrohet te njeriu, i cili pa Shpirtin është asgjë, duke e dhënë, është “vdekje  shenjte dhe gëzim i amshuar”.

Në lutjen e besimtarëve, në gjuhë të ndryshme, mendimet drejtohen te zemrat e qeverive dhe të popujve, duke u kërkuar atyre të mirën e vërtetë, drejtësinë dhe paqen, e duke ushqyer dëshirën për vëllazëri. Lutje ofrohen edhe për ata që jetojnë prova e vuajtje, duke i kërkuar Shpirtit të ngushëllimit t’i shërojë zemrat e thyera dhe të ndezë një shkëndijë shprese. Në bashkëfestim me Papën ishin Kardinali Leonardo Sandri, Prefekt Nderi i Dikasteri të Vatikanit për Kishat Lindore dhe Zëvendës Dekan i Kolegjit të Kardinalëve, e Kardinali Francis Arinze, prefekt nderi i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve.

R.SH. / Vatikan

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?