New York Times zbulon skenarët e Uashingtonit për Teheranin: Ja qëllimet e Trump brenda Iranit
Lista e opsioneve që ka në dispozicion Donald Trump, në rast se vendos të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit, është zgjeruar ndjeshëm. Sipas New York Times, që citon zyrtarë amerikanë me njohuri mbi planet në shqyrtim, objektivat e mundshëm përfshijnë instalime raketore dhe bërthamore, por edhe figura të larta të udhëheqjes iraniane, përfshirë vetë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Donald Trump deklaroi të dielën se Irani “po flet seriozisht” me SHBA-të për programin e tij bërthamor, por nuk përjashtoi një goditje ushtarake, pavarësisht sinjaleve për dialog nga Teherani, i cili paralajmëron pasoja të rënda në rast lufte.
Opsionet ushtarake në tavolinë
Sipas gazetës amerikane, opsionet aktuale shkojnë përtej atyre që po shqyrtoheshin dy javë më parë, kur Trump kërcënonte Iranin për ndalimin e dhunës ndaj protestuesve. Zyrtarët amerikanë konfirmojnë se në skenarë përfshihen edhe sulme direkte të forcave amerikane brenda territorit iranian.
Trump kërkon që Irani të heqë dorë nga ndërtimi i armëve bërthamore dhe të ndërpresë mbështetjen për grupet aleate në Lindjen e Mesme, si Hamasi, Hezbollahu dhe Houthit, të cilat synojnë Izraelin. Sipas New York Times, Shtëpia e Bardhë po shqyrton edhe mundësinë e ndryshimit të regjimit si një alternativë strategjike.
Diplomacia mbetet e hapur
Zyrtarët theksojnë se Trump nuk ka miratuar ende asnjë veprim ushtarak dhe nuk ka zgjedhur mes planeve të paraqitura nga Pentagoni. Ai mbetet i hapur për një zgjidhje diplomatike, ndërsa ultimatumet ndaj Iranit synojnë ta sjellin Teheranin në tryezën e negociatave.
Paralelizma me Venezuelën
Administrata Trump po ndjek një strategji presioni të ngjashme me atë ndaj Venezuelës, duke grumbulluar forca pranë rajonit për të rritur trysninë politike. Megjithatë, zyrtarët amerikanë pranojnë se Irani është një kundërshtar shumë më i fuqishëm dhe çdo ndërhyrje do të ishte shumë më e rrezikshme.
Rreziqe dhe vështirësi
Një operacion ushtarak në Iran do të ishte jashtëzakonisht kompleks, me rrezik të lartë për forcat amerikane. Edhe vetë sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka pranuar se ndryshimi i regjimit në Iran do të ishte shumë më i ndërlikuar sesa raste të tjera.
Skenarë ekstremë
Mes opsioneve më të vështira është dërgimi i forcave speciale amerikane për të dëmtuar drejtpërdrejt programin bërthamor iranian. Edhe pse Trump ka deklaruar se programi është “shkatërruar”, dokumentet zyrtare pranojnë se ai është vetëm “dobësuar ndjeshëm”.
Një tjetër mundësi janë sulmet ndaj objektivave të larta ushtarake dhe politike, me synim destabilizimin e regjimit dhe largimin e Ajatollah Khameneit. Megjithatë, mbetet e paqartë se kush do të merrte pushtetin dhe nëse një pasardhës do të ishte më i hapur ndaj Perëndimit.
Presioni i Izraelit
Izraeli po ushtron presion që SHBA-të të marrin pjesë në goditjen e programit raketor balistik iranian, duke argumentuar se Teherani e ka rindërtuar kapacitetin e tij dhe përbën kërcënim serioz për sigurinë izraelite.
Çështje ligjore dhe përgatitje ushtarake
Një nga pyetjet kyçe mbetet baza ligjore për një sulm pa miratimin e Kongresit amerikan. Ndërkohë, ushtria amerikane ka rritur praninë në Lindjen e Mesme dhe bombarduesit me rreze të gjatë veprimi ndodhen në gjendje gatishmërie të lartë, në pritje të vendimit përfundimtar të Donald Trump.
KOHA JONË SONDAZH

