Ngritja e pandershme e Donald Trump-it dhe Ted Cruz-it
Nga Fareed Zakaria –
Partia Republikane ballafaqohet me dy revolta të ndara
Mbështetësit e Trump-i janë liberalë ekonomikë të shkollës së vjetër
Nëse Partia Republikane do të ishte e sinqertë me votuesit e vet dhe të shpjegonte se shteti i mirëqenies ishte aty për të qëndruar, se tregjet e lira kanë nevojë për rregullim qeveritar, dhe se fuqizimi i minoriteteve dhe femrave ishte i paevitueshëm dhe i dobishëm
Për ta kuptuar pse situata aktuale konservatore është duke hutuar aq shumë liderët republikanë, duhet vërejtur se partia në fjalë ballafaqohet me dy revolta të ndara, por që ndodhin në të njëjtën kohë: njërën të udhëhequr nga Ted Cruz, e tjetrën të udhëhequr nga Donald Trump.
E para është përshkruar mirë nga E.J. Dionne Jr. në librin e tij të ri, të rëndësishëm, “Why the Right Went Wrong”. Për gjashtë dekada, thotë ai, konservatorët u kishin premtuar votuesve të tyre se do të shpërbënin qeveritë e mëdha. Gjatë viteve 1950 dhe 1960, ata ishin kundër ‘New Deal’-it (sigurimit social). Ata më pas u bashkuan kundër “Great Society” (Medicare). Sot, ai quhet ‘Obamacare’.
Por, ata kurrë në fakt nuk kishin bërë asgjë. Përkundër nominimit të Goldwater-it dhe zgjedhjes së Nixon-it, Reagan-it dhe dy Bushëve, përkundër një revolucioni kongresist të udhëhequr nga Newt Gingrich, këto programe zgjatën dhe u krijuan programe të reja.
Arsyeja e thjeshtë për këtë është se, derisa amerikanët mund ta kundërshtojnë shtetin e mirëqenies sociale në teori, në praktikë ata e duan një shtet të tillë. Dhe, pjesa më e madhe e shpenzimeve qeveritare bëhen për shtresën e mesme, e jo për të varfrit. Sigurimi social dhe ‘Medicare’ marrin më shumë se dy herë nga buxheti federal, sa shpenzimet diskrete jo të mbrojtjes. Një përjashtim nga taksat e shtresës së mesme – për kujdesin shëndetësor të bazuar te punëdhënësi – i kushton Qeverisë federale më shumë se tri herë shuma totale për programin e bonove të ushqimit.
Denoncimi i rrogave të larta të shefave ekzekutivë
Pa marrë parasysh realitetin, republikanët vazhduan që t’i premtonin bazës së tyre premtime, që nuk i realizuan. Kjo ka çuar deri tek ajo që Dionne e quan “mashtrim të madh”. aktivistët partiakë janë të zemëruar, ndihen të mashtruar dhe i shohin ata në Uashington si një grup njerëzish të korruptuar, që bëjnë kompromise. Ata duan dikë që përfundimisht ta gjejnë dikë që ta realizojë premtimin e anulimit dhe rikthimit.
Mbështetësit e Trump-it, në anën tjetër, janë liberalë ekonomikë të shkollës së vjetër. Në një analizë të fuqishme, Michael Tesler tregon se votuesi i Trump-it dallon shumë nga votuesi i Cruz-it. “Cruz e tejkalon Trump-in për rreth 15% në mesin e republikanëve ekonomikisht më konservatorë”, shkruan ai. “Por, Cruz humbë ndaj Trump-it për më shumë se 30% në mesin e republikanëve që mbajnë pozicione të larta në kujdesin shëndetësor, taksa, rroga minimale dhe sindikata”. Trump është i vetëdijshëm për këtë fakt, gjë që shpjegon pse ai ka thënë vazhdimisht se nuk do ta prekë Sigurimin social apo “Medicare’-n, ka folur mirë për sistemin kanadez të pagesës së vetme, ka denoncuar rrogat e larta të shefave ekzekutivë, ka premtuar që të ndërtojë infrastrukturën dhe ka kundërshtuar marrëveshjet e tregtisë së lirë.
Armiqësia ndaj myslimanëve
Votuesit e Trump-it paraqesin një revoltë krejt tjetër. Që nga vitet 1960, disa anëtarë të shtresës së mesme të bardhë të SHBA-së de të klasës punëtore, janë ndier në siklet me ndryshimet që ishin duke u bërë në vend. Atyre nuk u pëlqenin revolucionet sociale të viteve 1960, të bëra nga protestuesit e zinj dhe nga dhuna urbane, sikur që zemëroheshin dhe nga rritja e valës së imigrantëve, shumica prej tyre hispanikë. Gjatë viteve të fundit, ata kanë shprehur armiqësinë e tyre ndaj myslimanëve. Është ky grupi i amerikanëve – shumë të regjistruar si demokratë, apo të pavarur – që përbëjnë bërthamën e mbështetjes ndaj Trump-it.
A ka pasur mundësi që këto revolta të parandaloheshin? Ndoshta, nëse Partia Republikane të ishte e sinqertë me votuesit e vet dhe të shpjegonte se shteti i mirëqenies ishte aty për të qëndruar, se tregjet e lira kanë nevojë për rregullim qeveritar, dhe se fuqizimi i minoriteteve dhe femrave ishte i paevitueshëm dhe i dobishëm. Roli i saj ishte menaxhimi i këtyre ndryshimeve, në mënyrë që ato të zhvilloheshin si duhet, duke ruajtur vlerat amerikane. Por, ky është një rol për një parti që me të vërtetë është konservatore, më shumë sesa radikale.
KOHA JONË SONDAZH

