Nis procesi i ri kundër Sarkozisë, shpenzoi 43 milionë euro në fushatë

Ish-presidenti francez, Nikola Sarkozi, është rikthyer në bankën e të akuzuarit dy javë pas marrjes së dënimit për korrupsion.

Të mërkurën një Gjykatë në Paris nisi procesin për aferën “Bigmalion”, e cila në thelb ka të bëjë me shpërdorimin e fondeve elektorale.

“Bigmalion” ishte agjencia që Sarkozi përdori në vitin 2012 për fushatën e tij presidenciale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas akuzës, agjencia falsifikoi faturat financiare për të lejuar ish-presidentin të shpenzonte më shumë para sesa ia lejonte ligji për zgjedhjet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Skemën e zbuloi vetë ish-menaxheri i fushatës së Sarkozisë, Zherom Lavrijë.

“Kam katër vite që pres përfundimin e procedurave dhe referimin tim në tribunal. E pranoj se kam bërë diçka të dënueshme dhe nuk jam aq naiv sa të pretendoj falje absolute.”

Ligji francez për zgjedhjet e detyron një kandidat të mos kalojë pragun e 22 milionë e gjysmë euro shpenzime mes dy raundeve të votimit.

Prokurorët vlerësojnë se ish-presidenti Sarkozi shpenzoi dyfishin e vlerës së lejuar apo rreth 43 milionë euro në raundin e dytë.

Shpenzimet e tepërta u fshehën nga agjencia “Bigmalion” me dijeninë e partisë së Sarkozisë.

Drejtuesit e agjencisë akuzohen tani për mashtrim, ndërsa ish-presidenti 66-vjeçar për financim të paligjshëm të fushatës.

Gjykimi i çështjes ndaj tyre pritet të zgjatë deri më 15 prill ndërsa Sarkozija rrezikon një vit burg dhe gjobë 3,750 euro nëse shpallet fajtor.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?