Një letër mafies shtetërore, nga djali i gazetares së vrarë
Kjo letër e rëndë dhe akuzuese është shkruar nga Matthew Caruana Galizia, djali i gazetares dhe blogeres malteze, Daphne Caruana Galizia, e cila u vra të hënën pasdite, për shkak të detyrës. Galizia, i cili është gjithashtu një gazetar investigativ, ishte i pari që pa makinën teksa shpërthente, ndërsa nëna e tij ndodhej brenda. Sot, për herë të parë, ai ka shkruar këtë letër të gjatë, ku akuzon drejtuesit e shtetit dhe ku e quan Maltën, ishullin e mafies, shkruan Dritare.net
“Nëna ime u vra për shkak se qëndroi midis sundimit të ligjit dhe atyre që kërkonin ta shkelin atë, pra ashtu siç bëjnë shumë gazetarë të zotë. Por ajo ishte gjithashtu në shënjestër, sepse ishte i vetmi person, që punonte në këtë mënyrë. Kjo është ajo çfarë ndodh, kur institucionet e shtetit janë të paafta dhe personi i fundit që shpëton, është shpesh gazetari. Kjo bëri që nëna ime, të ishte personi i parë që mbeti i vrarë.
Nuk do ta harroj kurrë vrapin që kam bërë drejt atij ferri në fushë, duke gjetur mënyrën për të hapur atë derë, ndërkohë që boria e makinës ende binte. I ulërija dy policëve, të cilët u shfaqën duke mbajtur në dorë një nga ato bombolat, që shuajnë zjarrin. Më vështruan dhe njëri prej tyre më tha: “Na vjen keq, tashmë nuk mund të bëjmë asgjë”. Ula kokën dhe pashë pjesët e trupit të nënës sime, përreth meje. Kuptova se kishin të drejtë, se nuk kishte më shpresë. Ata më pyetën: “Kush ndodhet në makinë?”. “Nëna ime”, iu përgjigja, “dhe ajo vdiq, për shkak të paaftësisë suaj.”
Po, ishte paaftësia dhe neglizhenca e tyre, që dështuan dhe nuk parandaluan këtë që ndodhi.
Më vjen keq që po e tregoj me kaq hollësi ngjarjen, por lufta këtë fytyrë ka. Dhe ju të gjithë duhet ta shihni. Kjo nuk ishte një vrasje e zakonshme, nuk ishte vrasje tragjike. Tragjike është kur të shtyp autobusi. Kur ka gjak dhe shkëmbim zjarri rreth teje, atëherë është luftë. Ne jemi një popull në luftë, kundër shtetit dhe krimit të organizuar, të cilat janë bërë të padallueshme.
Disa orë më pas, ndërsa kryeministri palaço bënte thirrje nga parlamenti për të gjetur autorët e vrasjes së gazetares, për të cilën kishte harxhuar një dekadë duke e sulmuar që ta shkatërronte, një nga oficerët e policisë, Ramon Mifsud, i cili duhet të hetohet për vrasjen e saj, poston në Facebook këtë mesazh: “Gjithkush merr atë që meriton, plehun e lopës! Ndjehem i lumtur :)”.
Po, ky është vendi ku jetojmë, një shtet mafioz, ku tashmë mund të ndryshosh gjininë, në kartën tënde të identitetit, falë Zotit, por gjithashtu vendi ku të bëjnë copash duke të të hedhur në erë, vetëm pse ke ushtruar lirinë tënde themelore. Njerëzit që supozohet të të mbrojnë, në këtë vend festojnë vdekjen tënde. Si kemi ardhur deri këtu xhanëm?
Qeveria e Maltës ka lejuar të lulëzojë një kulturë e mosndëshkimit. Është fare pak ngushëlluese, kur dëgjon kryeministrin e këtij vendi të thotë se nuk do të reshtë derisa të gjenden autorët e krimit, ndërkohë që ai vetë drejton një qeveri, që inkurajon mosndëshkimin. Si fillim i mbushi zyrat me kriminelë, më pas policinë me kriminelë dhe budallenj dhe në fund, i mbushi gjykatat me kriminelë dhe të paaftë. Nëse institucionet do të ishin duke punuar siç duhet, nuk do të kishte vrasje për t’u hetuar dhe unë e vëllezërit e mi do të kishim ende një nënë.
Joseph Muscat, Keith Schembri, Chris Cardona, Konrad Mizzi, Prokurori i Përgjithshëm dhe shumë nga ju drejtues të tjerë të policisë, që nuk morët asnjë masë, ju jeni bashkëpunëtorë. Ju jeni përgjegjës për këtë.” – përfundon akuzën e rëndë, djali i gazetares së njohur malteze, të vrarë pak ditë më parë./Përshtati Donatela Guri/dritare.net