Një sagë e vrazhdë e drejtësisë kroate
Rasti i ndërlikuar i Glavasit, një komandant ushtarak kroat dhe dikur politikan i fuqishëm i liruar pasi dënimi i tij për krime lufte u hodh poshtë, ka ringjallur pyetje në lidhje me mizoritë e kryera në vitin 1991.
Glavas, i cili u dënua për krime të rënda lufte në Osijek në vitin 1991, është i lirë përsëri pas një vendimi të gjykatës kushtetuese në Zagreb.
Pas lirimit të tij nga burgu në fillim të këtij muaji në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku ai po vuante dënimin e tij, ai nuk mund të kthehej menjëherë në Kroaci, sepse gjykata e qarkut e Zagrebit lëshoi një urdhër për arrestimin e tij, duke vendosur që një tjetër vendim i mëparshëm në të cilin ai dënohej, ishte ende i vlefshëm.
Por të martën, gjykata revokoi urdhër arrestin dhe Glavas tani do të mund të kthehet si një njeri i lirë për të pritur rezultatin përfundimtar të diskutimeve ndërlikuara të drejtësisë kroate.
Ka disa përfundime të ndryshme. Gjykata Kushtetuese ia pasoi topin në Gjykatës së Lartë, e cila mund të konfirmojë dënimin e mëparshëm që ka dhënë, duke e dënuar Glavasin me tetë vjet në burg, të ulë dënimin ose ta rrisë atë. Ajo mund të urdhërojë gjithashtu një rigjykim para gjykatës qarkut në Zagreb dhe mund ta shfuqizojë këtë vendim dhe ta lirojë atë nga të gjitha akuzat.
Duke patur parasysh çdo gjë që ka ndodhur në rastin e Glavasit, që nga hetimi tij për krime lufte, i cili filloi në Osijek në vitin 2005, deri te vendimi i gjykatës kushtetuese që anuloi vendimin në fillim të këtij viti, asnjë nga këta skenarë nuk duket i mundur. Megjithatë, është e vështirë të besosh se gjykata e lartë mund të rrisë dënimin e Glavasit gjatë rigjykimit të tij.
Një gjyq i diksutueshëm
Gjyqi i Glavasit, i cili filloi në vitin 2008, ishte plot me polemika. Glavasi dhe mbështetësit e tij, si edhe avokatët që e përfaqësonin atë në gjykatë, pohuan se ai ishte një proces i motivuar politikisht dhe se pas tij fshiheshin ish-kryeministri Ivo Sanader dhe zyrtarë të lartë nga Bashkimi Demokrat Kroat.
Glavas ishte një nga figurat më të fuqishme politike në Kroaci në vitin 2005. Ai kishte gradën e gjeneralit në Ushtrinë Kroate dhe ka qenë anëtar i parlamentit kroat për disa mandate, si edhe kryetari i bashkisë së Osijek- qarkut të Baranjas .
Por fuqia e tij e vërtetë erdhi nga fakti se ai ishte një nga themeluesit e Bashkimit Demokrat Kroat, partia e ish-presidentit Franjo Tuxhman, e cila fitoi zgjedhjet e para shumë-partiake në vend në vitin 1990. Përveç kësaj. Glavas arriti të ndërtojë një mit, sepse ai ishte komandant i mbrojtjes së Osijekut në kohën e luftës. Ai ishte njeriu më përgjegjës që qyteti të mos shkatërrohej si Vukovari.
Por në vitin 2005 Glavas pati konflikte me Sanaderin dhe u përjashtua nga Bashkimi Demokrat Kroat, së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Ai pastaj themeloi partinë e tij, Partia Aleanca Demokratike Kroate e Sllavonisë dhe Baranjës, dhe korri sukses në zgjedhjet parlamentare, duke e çuar partinë e tij në legjislaturë. Menjëherë pas kësaj, filloi hetimi për krime lufte në Osijek.
Për shkak të faktit se ai ishte një nga themeluesit e Bashkimit Demokrat Kroat të qytetit, partisë të katërt më të madhe në vend, dhe kishte lidhje shumë të ngushta me Franjo Tuxhmanin, Glavasi ishte politikani më i fuqishëm në Sllavoni, rajoni më i madh i Kroacisë.
Lufta që filloi në vitin 1991 forcoi më tej pozicionin e tij. Ai organizoi mbrojtjen e Osijekut, rekrutoi njerëz për Gardën Kombëtare Kroate (paraardhësit e Ushtrisë Kroate), furnizoi dhe shpërndau armë, dhe udhëhoqi të gjitha përgatitjet për luftë si pjesë e sekretariatit për mbrojtjen kombëtare.
Kur shpërtheu lufta në verën e vitit 1991, Glavasi ishte figurë e rëndësishme në mbrojtjen e Osijekut. Ai u pyet për çdo gjë dhe në qytet s’mund të bëhej asgjë pa urdhrat apo dijeninë e tij.
Ekzekutimet në Osijek
Menjëherë pasi luftimet në zonën e Sllavonisë përfunduan, në mes të vitit 1992, dhe paqeruajtësit e OKB-së mbërritën, filluan të përhapeshin histori për krimet e kryera nga disa anëtarë të forcave të armatosura kroate gjatë mbrojtjes së Osijekut.
Dy prej këtyre krimeve ishin shumë mizore. Më vonë, gjatë hetimit dhe gjykimit të Glavasit, ato do të quheshin çështja ‘Garazhi’ dhe ‘Ngjitësja’ në media.
Gjykata vendosi se në çështjen ‘Garazhi’ civilët serbë silleshin në garazhet prandë ndërtesës ku ndodhej baza ushtarake e Glavasit. Ata u morën në pyetje, torturuan, rrahën me qytë pushke dhe disa prej tyre u detyruan të pinin acid sulfurik nga bateritë e makinave të parkuara aty.
Çështja “Ngkitësi” kishte të bënte me një sërë ekzekutimesh, kryesisht të serbëve nga Osijeku, duke përfshirë edhe onkologun e shquar Milutin Kutlic dhe drejtorin e zyrës së postës të Osijekut, Branko Lovric.
Viktimat ishin marrë nga shtëpitë e tyre dhe ishin marrë në pyetje në bodrumin e një shtëpie në rrugën “Dubrovacka”. Pas marrjes në pyetje dhe abuzimit fizik, duart e tyre u lidhën me ngjitës. Ata u çuan më pas në brigjet e lumit Drava dhe u qëlluan në pjesën e prapme të kokës.
Duke qenë se Glavasi ka qenë në krye të mborjtjes së Osijekut, ishte e qartë se ai duhet të ketë qenë në dijeni të këtyre krimeve që ditën e parë dhe se s’bëri asgjë për t’i parandaluar ato apo ndëshkuar fajtorët.
Por ai ishte shumë i fuqishëm në atë kohë dhe gëzonte mbrojtje të fortë nga Bashkimit Demokrat Kroat, kështu që askush nuk mund të niste ndonjë lloj hetimi.
Kur kjo ndodhi më në fund në vitin 2005, hetimi ishte nën presion të madh. Dëshmitarët u kërcënuan, madje edhe shefi i policisë në Osijek, i cili udhëhiqte hetimin, mori kërcënime me vdekje.
Gjyqi u zhvillua në Zagreb, sepse nuk ishte e mundur që ai të gjykohej në Osijek për shkak të presionit të madh. Pasi Glavas u arrestua, ai filloi një grevë urie në burg dhe disa njerëz – duke përfshirë disa peshkopë kroate dhe akademikë – kërkuan lirimin e tij mbi ‘baza humanitare’. Ai e kaloi në spital shumicën e kohës së tij në paraburgim.
Arratisja në Bosnje
Kur ai u dënua me 10 vjet burg në vitin 2008, ai u arratis në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ndërtoi një vilë të madhe në fshatin e tij të lindjes Drinovci, duke jetuar atje i lirë deri në fund të vitit 2010 kur ai filloi të kryente dënimin e tij në Zenicë, sipas një marrëveshjeje ligjore midis Kroacisë dhe Bosnjes.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë kroate e reduktoi dënimin e tij nga dhjetë në tetë vjet burg. Ndërsa pritej vendimi i gjykatës kushtetuese për çështjen e tij, në Kroaci shpërtheu një skandal pasi shërbimet e inteligjencës zbuluan se mbështetësit e tij po mblidhnin fonde për të korruptuar gjykatësit e Gjykatës së Lartë.
Tre persona nga rrethi i tij i miqve u dënuan për shkak të kësaj, por hetimi nuk i tregoi emrat e gjykatësve.
Glavas së shpejti arriti të transferohej nga Zenica në Mostar, ku kushtet për kryerjen e dënimit ishin shumë më të mira. Atje ai priti vendimin e gjykatës kushtetuese dhe u lirua nga burgu më 20 janar të këtij viti.
Lirimi i tij dhe mundësia që ai të mund të lirohej në rigjykim shkaktoi reagime të ndryshme në Kroaci, veçanërisht në Osijek. Kishte eufori, por edhe një dëshirë për hakmarrje midis mbështetësve të tij, disa prej shokëve të tij të luftës dhe anëtarë të partisë së tij.
Në faqen e tij në Facebook, Glavas postoi një fotografi që tregon pesë persona të varur bashkë me fjalët e Urdhëresës së tetë në Bibël: “Nuk duhet të japësh dëshmi të rreme”, duke thënë se ata që e thyejnë këtë rregull, përballen me “ndëshkimin e Zotit”. Ai më vonë kërkoi falje për këtë, por një mesazh i qartë tashmë ishte përcjellë.
Familjet e viktimave ndërkohë u zemëruan që ai u lirua dhe se ekziston mundësia që ai të mund të shpallet i pafajshëm nga gjykata kroate gjatë rigjykimit të tij.
Midis atyre që morën pjesë në hetimin në Glavasit, dhe sidomos në mes të dëshmitarëve dhe atyre që shkruan për krimet, ekziston një shqetësim në lidhje me atë që ata mund të presin kur ai të kthehet në Kroaci si një njeri të lirë.
BIRN