Një vit pa Xhorxh Floid, familja kërkon reforma në polici

Politika amerikane nuk po bën sa duhet për të evituar dhunën policore dhe skena si ajo e vitit të kaluar me afroamerikanin, Xhorxh Floid.

Të martën ishte 1-vjetori i vrasjes së 46-vjeçarit, viktimë e forcës brutale nga oficerët e policisë.

Familja e Floidit u prit nga liderët e Kongresit amerikanë  ku demokratë e republikanë po punojnë për reformën e sistemit policor, për më shumë llogaridhënie, më pak arrestime me pasoja fatale dhe për të dënuar racizmin.

Një takim privat me ta u mbajt edhe në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Xho Bajden, ku sërish kërkesa e tyre ishte reforma në polici.

“Kur ke ligje federale që mbrojnë zogjtë si shqiponja, simboli ynë kombëtar, duhet të kemi edhe ligje për mbrojtjen e njerëzve me ngjyrë”, thotë vëllai i Floid.

Motra e Floidit e shmangu takimin me presidentin Bajden me arsyen se kreu i shtetit nuk e ka përmbushur premtimin për reformën në polici.

“Ata prej jush që e kanë përjetuar humbjen e njerëzve të dashur e dinë se përvjetorët të kujtojnë gjithçka sikur ishte. Kaluam disa orë të mira bashkë. Shpresoj që pas Ditës Përkujtimore do të gjendet dakordësia edhe për ligjin e Xhorxh Floidit”, shprehte presidenti Biden.

Ndërsa një pjesë e familjes së afroamerikanit loboi në Kongresin amerikan, të tjerë demonstruan në rrugët e vendit për drejtësi.

Qytetarët marshuan në qytetin e Mineapolisit ku 25 majin e kaluar 46-vjeçari Floid do të humbte jetën nga asfiksia nën peshën e policit Derek Shouvin, i cili rrezikon deri 40 vite burgim.

SHKARKO APP