Njihuni me ‘përbindëshin’ e banimit, kompleksi më i madh në botë që ngjan me një qytet të vogël
Në Kinë ndodhet Kompleksi Ndërkombëtar i Apartamenteve Regent, ndërtesa më e madhe për banim në botë, që strehon mbi 20,000 banorë në një hapësirë gjigante brenda një ndërtese të vetme. Nëse mendonit se godina më e madhe në qytetet si Nju Jork ishin me shumë qiramarrës, kjo ndërtesë në Hangzhou sfidon çdo parashikim, duke krijuar një komunitet të tërë në një strukturë unike.
Vendosur në Qianjiang Century City, lagja kryesore e biznesit në Hangzhou, ky kompleks në formë “S” arrin lartësinë 206 metra dhe përfshin 5,000 apartamente që shtrihen në 260,000 metra katrorë hapësirë.
Por kompleksi nuk është vetëm vendbanim – ai përfshin gjithashtu një mjedis të plotë urban me hapësira për të jetuar, punuar dhe socializuar. Banorët mund të përfitojnë nga një sallë e madhe ngrënieje, berberhane, sallone bukurie, supermarkete, pishina dhe internet kafene, duke krijuar kështu një ambient që ngjan më shumë me një qytet të vogël sesa me një ndërtesë të zakonshme banimi.
Populariteti i këtij kompleksi është rritur ndjeshëm në mediat sociale, veçanërisht në TikTok, ku videot që tregojnë madhësinë dhe kompleksitetin e brendshëm të ndërtesës kanë marrë qindra mijëra shikime. Ky “përbindësh” banimi ofron një perspektivë të re mbi mënyrën se si mund të ndërtohen dhe organizohen komunitetet urbane në të ardhmen.
KOHA JONË SONDAZH

