Njihuni me vogëlushen që çoi numrin e popullsisë në botë në 8 miliardë
Pas 11 vitesh, zyrtarisht bota është e populluar nga 8 miliardë njerëz. Por e dini se cila është bebja që çoi numrin e popullsisë në botë në këtë shifër?! Vogëlushja quhet Vinice Mabansag dhe ka lindur në Filipine, në Spitalin Memorial në Tondo, më 15 nëntor, duke shënuar personin e 8 miliardë në botë.
Përfaqësues nga Komisioni për Popullsinë dhe Zhvillimin ishin aty për të mirëpritur lindjen e Vinice.
“Sapo pamë foshnjën e tetë miliardë në botë në Filipine. Pritëm rreth dy orë duke filluar nga ora 23:00 mbrëmë, deri sa foshnja u lind rreth orës 1:29 të mëngjesit”, tha Dr. Romeo Bituin, shefi i stafit mjekësor i spitalit, sipas një raporti nga GMA News.
“Kjo rritje e paprecedentë është për shkak të rritjes graduale të jetëgjatësisë njerëzore për shkak të përmirësimeve në shëndetin publik, të ushqyerit, higjienën personale dhe mjekësinë. Është gjithashtu rezultat i niveleve të larta dhe të vazhdueshme të lindshmërisë në disa vende”, sipas raportit të OKB.
OKB-ja tha se ndërsa popullsisë së botës iu deshën afro 11 vite për t’u rritur nga 7 në 8 miliardë, tani do të duhet të presim edhe 15 vite që ajo të arrijë në 9 miliardë, një shenjë kjo se norma e përgjithshme e rritjes së popullsisë globale po ngadalësohet.