Norvegjia mohon akuzat se po bllokon aksesin e Rusisë në ishujt e Arktikut
Ministria e Jashtme ruse tha se kufizimet e Norvegjisë ndërprenë punën e konsullatës së përgjithshme ruse në Spitsbergen, ishullin më të madh të arkipelagut Svalbard, dhe një vend rus të minierave të qymyrit atje, sipas The Guardian.
“Ne kërkuam që pala norvegjeze ta zgjidhë çështjen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministria e jashtme ruse. “Ne treguam se veprimet jomiqësore kundër Rusisë do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në masat e duhura hakmarrëse.”
Rusia pretendon se furnizimi me ushqime, ilaçe, materiale ndërtimi dhe pjesë këmbimi për mjetet e transportit po bllokohej nga autoritetet norvegjeze. Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm tha se Norvegjia nuk po bllokon hyrjen ruse në arkipelagun e Arktikut, por vetëm po zbaton sanksionet ndërkombëtare.
Svalbard, i cili ndodhet midis bregut verior të Norvegjisë dhe Polit të Veriut, është pjesë e Norvegjisë, por Rusia ka të drejtën të shfrytëzojë burimet natyrore të arkipelagut sipas një traktati të vitit 1920, dhe disa vendbanime atje janë të populluara kryesisht nga rusët.
“Norvegjia nuk po e thyen Traktatin e Svalbardit,” tha Ministrja e Jashtme norvegjeze Anniken Huitfeldt . Dërgesa që u ndalua në kufirin norvegjezo-rus është ndaluar në bazë të sanksioneve që ndalojnë kompanitë ruse të transportit rrugor të transportojnë mallra në territorin norvegjez.
“Norvegjia nuk po përpiqet të pengojë furnizimet që të arrijnë në Barentsburg,” shtoi ajo.
Rusia mund të dërgojë furnizime në një mënyrë tjetër, ekskluzivisht me anije ose nga ajri, shtoi ajo, dhe jo vetëm me rrugë.