Nuk ka falje, burgim të përjetshëm për El Chapon
El Chapo, trafikanti më famëkeq i drogës, do të vijojë të qëndrojë në burg. Një Gjykatë Apeli la në fuqi vendimin e 2019 për ta dënuar me burgim të përjetshëm. Paneli me tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit në Nju-Jork hodhi poshtë 10 arugmentet e paraqitura nga Joaquin Guzman për një rigjykim të çështjes, si dhe për kushtet e tmerrshme të burgut ku po vuan dënimin.
“Jam i sigurt që zoti Guzman do ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Supreme”, tha avokati mbrojtës i El Chapos, Marc Fernich, në një deklaratë të shpërndarë me e-mail. Zyra e Prokurorisë amerikane nuk pranoi të komentonte vendimin.
El Chapo u dënua në shkurt 2019 për trafikimin e lëndëve narkotike me vlerë miliarda dollarë drejt Shteteve të Bashkuara, si edhe për vrasje të rivalëve të tij, në rolin e bosit të Kartelit të Sinaloas në Meksikë. Ai po e vuan dënimin në burgun “Supermax” në Kolorado, që njihet edhe si burgu federal amerikan më i sigurt.