Nuk ka paqe, Putin: Turqit po u lëpihen amerikanëve
Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj Turqisë, lidhur me rrëzimin e avionit luftarak rus muajin e kaluar. Ai foli sot në konferencën vjetore dhe sipas tij, incidenti në kufirin turko-sirian ishte një akt armiqësor, por “Rusia nuk është vend që zmbrapset”.
Presidenti Putin tha se, “nuk ka shanse për përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë, të cilës Rusia i ka vendosur sanksione, nën drejtimin e liderëve aktualë të saj”.
Më tej shefi i Kremlinit shtoi se: “Turqit kanë vendosur t’u lëpihen amerikanëve”. Putin theksoi se, zyrtarët turq duhet të kishin marrë telefonin dhe të flisnin me rusët për shqetësimet e tyre mbi sulmet ajrore ruse në Siri.
“Turqia nuk ka arritur asgjë nga rrëzimi i avionit rus, ndërsa Rusia ka rritur praninë e saj në Siri duke vendosur raketa anti-ajrore”, u shpreh presidenti rus.
Në muajin shtator, Rusia vendosi trupat e saj në Siri në mbështetje të presidentit Bashar al Assad, dhe që prej atëherë ka kryer një seri sulmesh ajrore ndaj kundërshtarëve të tij.
Sakaq, kjo ndërhyrje është kritikuar ashpër nga Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Gjirit Arab. Putin aktualisht ndodhet në mandatin e tij të tretë në krye të Rusisë, që prej vitit 2000.
KOHA JONË SONDAZH

