Obama: Rusia është një partner konstruktiv në bisedimet për Sirinë
Presidenti amerikan, Barack Obama përshëndeti sot rolin e Rusisë në bisedimet që parashikojnë t’i japin fund krizës në Siri, por vuri në dukje se Moska dëshiron që Bachar al-Assad të mbetet në pushtet, ndryshe nga perëndimorët.
“Rusia është një partner konstruktiv në Vjenë duke bërë përpjekje për të krijuar një tranzicion politik në Siri”, deklaroi Obama duke iu referuar bisedimeve të fundit ndërkombëtare në Austri.
“Por ekziston një problem, Moska është gjithmonë e interesuar që Assad të qendrojë në pushtet”, shtoi presidenti amerikan, i cili u shpreh në kuadër të një forumi ekonomik në Manila, në Filipine.
Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi javën e kaluar se nuk e shikonte të drejtë t’i kërkonte presidentit sirian, Bachar al-Assad të largohej nga pushteti ashtu si kërkojnë perëndimorët dhe vendet arabe.