OBSH: 546 mijë vdekje nga nxehtësia në vit
Ndryshimet klimatike po shkaktojnë gjithnjë e më shumë një kosto shkatërruese për shëndetin e njeriut. Raporti i fundit i publikuar nga OBSH, bën më dije se bota po ngrohet me ritme shumë të shpejta dhe reagimi ndaj këtij fenomeni ka dështuar.
Raporti i vitit 2025 mbi Shëndetin dhe Ndryshimet Klimatike, i prodhuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, zbulon se 12 nga 20 treguesit kryesorë që ndjekin kërcënimet shëndetësore kanë arritur nivele rekord, duke treguar se si mosveprimi ndaj klimës po kushton jetë, po i tendos sistemet shëndetësore dhe po dëmton ekonomitë.
Shkalla e vdekshmërisë, e lidhur me nxehtësinë është rritur me 23% që nga vitet 1990, duke e çuar totalin e vdekjeve të lidhura me nxehtësinë në një mesatare prej 546 000 vdekjesh në vit.
Në vitin që lamë pas, një individ ishte i ekspozuar me të paktën 16 deri në 20 ditë të nxehta të rrezikshme.
Ekspozimi ndaj nxehtësisë shkaktoi humbjen e 640 miliardë orëve të mundshme të punës në vitin 2024, me humbje produktiviteti ekuivalente me 1.09 trilion dollarë amerikanë.
Kostot e vdekjeve të lidhura me nxehtësinë tek të rriturit e moshuar arritën në 261 miliardë dollarë amerikanë.
Sipas OBSH-së, nëse nuk merren masa, Europa, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, do të përballet me ditë me të nxehta, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në shëndetin e popullatës dhe ekonominë e vendit.
Siç duket edhe ne hartë, shumica e vendeve të Europës janë me të kuqe, duke treguar se temperaturat janë në rritje.
Nga viti në vit, Shqipëria po përjeton ditë me të nxehta të rritura me të paktën 2-3 gradë, duke shkaktuar edhe zjarre në pyje.
Po ashtu, si pasoje e nxehtësisë, vendet e Europës po përjetojnë edhe net me të nxehta, duke sjellë reduktim të gjumit.
KOHA JONË SONDAZH

