OBSH jep alarmin: Të rinjtë po nxisin përhapjen e pandemisë!
Koronavirusi po përhapet nga persona të moshave tw reja, shumica e të cilëve nuk e dinë se janë të infektuar dhe po rrezikojnë grupet e cenueshme.
Shqetësimi ringrihet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila thotë se këtë muaj numri i të rinjve të infektuar në botë është rritur ndjeshëm, duke vënë në rrezik të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore në zonat me popullsi të dendur.
“Pandemia po ndryshon. Persona në të 20-tat, 30-tat apo 40-tat, po nxisin gjithnjë e më shumë përhapjen. Shumë prej tyre nuk e dinë se janë të infektuar”, deklaroi Takeshi Kasai, drejtor rajonal i OBSH.
Rritja e rasteve të reja ka detyruar shumë vende të rikthejnë masat e kufizimit. Virusi u ka marrë jetë më shumë se 770 mijë njerëzve dhe ka infektuar gati 22 milionë të tjerë.