OPEC zgjat deri në muajin korrik uljen rekord të prodhimit ditor të naftës
Rusia dhe aleatët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës do e zgjatin deri muajin e ardhshëm uljen rekord të prodhimit ditor të arit të zi.
Vendet aleate të OPEK-ut vendosën në prill që të shkurtojnë me 9,7 milionë fuçi prodhimin e naftës për të ndihmuar rikuperimin e çmimit të saj në bursa dhe rimëkëmbjen e sektorit nga pandemia.
Vendimi ka ndikuar që çmimet të dyfishohen nga më pak se 20 në gati 40 dollarë fuçia në javët e fundit, si për standardin europian, edhe atë amerikan.
Vlera, megjithatë, qëndron rreth 20 dollarë më poshtë krahasuar me fundvitin e kaluar.
Suksesi i kësaj industrie është në dyshim për shkak të kërkesës së ulët për hidrokarbure në treg, që arriti rekordet historike në dy tremujorët e parë si pasojë e shtrëngesave globale prej koronavirusit.
Rafineritë e naftës të shteteve të OPEK-ut pritet ta balancojnë disi prodhimin pas muajit korrik deri në dhjetor duke e shkurtuar me 7,7 milionë numrin e fuçive të prodhuara në ditë.
Vendet si Nigeria dhe Iraku është kërkuar që deri në shtator të kompensojnë mbiprodhimin e tyre për dy muajt e fundit.
Ndërkohë nuk është bërë e njohur nëse Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti do vazhdojnë t’i përmbahen uljes vullnetare të prodhimit të tyre me 1,18 milionë fuçi nafte në ditë.
Marrëveshjet e fundit janë arritur nën presionin e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili po punon gjithashtu për të evituar falimentin e kompanive më të mëdha amerikane të prodhimit të naftës.