Pandemia “asfikson” kulturën, artistët francezë në protestë
Jeta kulturore po vuan pasojat e izolimit të gjatë nga pandemia e kovidit-19, pasi ambientet ku arti ekspozohet po qëndrojnë mbyllur kudo.
Kultura po “asfiksohet” dalëngadalë.
Me këtë mesazh, dhjetëra artistë dhe aktorë francezë u mblodhën të hënën t’i japin pandemisë në mënyrë simbolike, grushtin e vet artistik.
Ata përdorën fjalën dhe aktrimin para stacionit Gar-dy-Nor në Paris, për të vënë theksin te rëndësia e vlerave kulturore dhe njerëzore edhe në kohë krizash.
“Po përpiqemi të tërheqim vëmendjen. Kur sheh çfarë po ndodh në Spanjë… të kujtohet shprehja e Volterit. I respektojnë të vdekurit dhe të gjallët, të dy bashkë, jo njërin përpara tjetrit.”
“Mbyllja e teatrove, kinemave, muzeve, fakti që jemi gjithë kohën me maska, kemi një marrëdhënie më të komplikuar me të tjerët, kemi më shumë frikë, na duket sikur po kalojmë një formë gjithnjë e më të fortë asfiksie mendore së cilës nuk duhet t’i biem pre.”
Franca si shumica e vendeve të Europës nuk ka njoftuar ende planet për rihapjen e ambienteve kulturore të vendit, madje ka zgjatur afatin e masave dhe kufizimet për udhëtimet me jashtë për shkak të situatës epidemiologjike me kovidin-19, që deri tani ka vrarë mbi 75 mijë francezë.