Pandemia zbeh shpresat për rimëkëmbjen e industrisë së naftës
Pandemia e koronavirusit vazhdon të ushtrojë trysni te industria e hidrokarbureve, me çmime nën mesataren e viteve të kaluara.
Nafta bruto paraditen e së martës u shit në bursa me rreth 42,3 dollarë fuçia.
Në të njëjtën javë të 2019-ës, ari i zi i standardit europian kapte vlerën 60 dollarë dhe kulmi prej 71,75 dollarë fuçia do arrihej më 8 janar të këtij viti.
Ishte kjo periudhë kur në Kinë nisi të marrë hov epidemia e koronavirusit, e cila në pak muaj paralizoi qarkullimin tokësor e ajror në mbarë botën.
Kërkesa e dobët, mbi prodhimin dhe mungesa e magazinimit të naftës do sillnin kaosin në muajin prill, që do paraprihej pak javë më herët nga lufta për çmimin bazë të lëndës djegëse mes Rusisë dhe Arabisë, e cila gjithashtu e rëndoi situatën, madje e uli deri 60 përqind vlerën vjetore të arit të zi.
Xhihad Azur, drejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore, thotë se sektori do e ketë të vështirë në të ardhmen.
“Projeksionet tona për çmimet e naftës janë në harkun e 40-45 dollarëve për fuçi gjatë këtyre muajve deri në fillimin e vitit tjetër, dhe midis 40 dhe 50 dollarëve fuçia gjatë 2021-it. Ajo që presim të shohim është të rritet kërkesa, pasi edhe 6 muajt e fundit treguan se është faktori më i rëndësishëm.”
Avancimi i pandemisë dhe rikthimi i masës së ndalimqarkullimit në disa vende europiane ka zbehur shpresat për rimëkëmbjen e sektorit të hidrokarbureve.
Përballë kësaj situate, vendet e OPEK-ut me Rusinë së bashku kanë rënë dakord të ulin prodhimin e arit të zi me më shumë se 7 milionë fuçi përditë.