Paniku nga mungesa e energjisë elektrike. Raftet e boshatisura në dyqane, radhë në bankomate

Paniku ka përfshirë qytetarët në Spanjë dhe Portugali, pasi ndërprerja masive e energjisë ka paralizuar të dyja shtetet. Radhë të gjata u formuan jashtë dyqaneve, bankave dhe pikave të karburantit, ndërsa qytetarët dhe turistët përpiqeshin të siguronin ushqime bazë dhe para cash. Në aeroportet kryesore, shumë fluturime janë anuluar ose vonuar, me kompaninë TAP Air në Portugali që u kërkoi pasagjerëve të mos udhëtojnë drejt aeroporteve deri në një njoftim të dytë.

”Njerëzit kanë filluar të panikosen. Nëse energjia nuk rikthehet shpejt, situata do të përkeqësohet ndjeshëm”,-tha një turist. Autoritetet spanjolle u bënë thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë pa një arsye të rëndësishme, ndërsa liderët rajonalë kërkuan ndërhyrjen e ushtrisë për të menaxhuar krizën.

Ndërprerjet nisën rreth orës 12:30 të ditës lokale dhe prekën edhe centralet bërthamore, të cilat u ndalën automatikisht dhe kaluan në gjeneratorë për siguri. Transporti publik, përfshirë trenat dhe metrotë, u paralizua, duke detyruar evakuimin e pasagjerëve nga tunelet. Operatori i rrjetit elektrik në Portugali paralajmëroi se rikthimi i energjisë mund të zgjasë deri në një javë. Pati luhatje të forta të tensionit dhe më pas ndërprerje totale, por ende shkaqet janë të paqarta.

SHKARKO APP