Papa Françesku: Shkandulli i armëve bie ndesh me frymën e vëllazërisë

Popullsia e Etiopisë jugore ishte sot në lutjet e Papës i cili, në përshëndetjet pas Engjëllit, iu drejtua asaj pjese të botës që, më 23 korrik, u shkatërrua nga një rrëshqitje dheu. Françesku kujton së pari Bririn e Afrikës, për ta shtrirë më pas përqafimin e tij me të gjithë njerëzit që janë prekur nga fatkeqësitë natyrore, ndërsa ka nga ata që përfitojnë nga konfliktet:

“Siguroj lutjet e mia për viktimat e rrëshqitjes së madhe të dheut që përfshiu një fshat në Etiopinë jugore. Jam pranë asaj popullate kaq të provuar dhe atyre që po sjellin lehtësim. E ndërsa ka shumë njerëz në botë që vuajnë nga fatkeqësitë dhe uria, ne vazhdojmë të ndërtojmë dhe të shesim armë e të djegim burime, duke nxitur luftëra të mëdha dhe të vogla. Ky është skandal që bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta tolerojë e që i bie ndesh frymës së vëllazërisë së Lojërave Olimpike të sapofilluara. Të mos harrojmë, vëllezër e motra: lufta është disfatë!”.

Në Etiopi, duke nisur nga dita e sotme, do të mbahen tri ditë zije, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë gërmimet në Kencho Shacha Gozdi. Të mbijetuarit e tronditur tashmë kanë filluar varrosjen e viktimave të asaj që përshkruhet si rrëshqitja më vdekjeprurëse e dheut e regjistruar ndonjëherë në kombin e Bririt të Afrikës. Të vdekurit janë rreth 260, por numri mund të arrijë dyfishin. Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, vizitoi dje, e shtunë vendin e tragjedisë, i cili është 480 kilometra larg nga kryeqyteti Addis Abeba, dhe mbolli një pemë në një varrezë. Operacionet e kërkimit do të vazhdojnë, siguroi zëdhënësi i qeverisë, ndërsa rreth 500 persona të zhvendosur po marrin ndihmë të ngutshme..

R. SH. Vatikan

SHKARKO APP