Papa Leone në Madrid: Bota po kalon krizë shpirtërore dhe kulturore, jeta duhet të mbrohet në çdo rrethanë

Papa Leone XIV përdori një fjalim para Parlamentit spanjoll për të paralajmëruar se bota po kalon ”një krizë të thellë shpirtërore dhe kulturore” dhe për t’i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të trajtojë shkaqet dhe pasojat e asaj që ai e quajti “drama tragjike e migracionit”. Në një fjalim të mbajtur para deputetëve në Madrid, Papa preku gjithashtu çështje si luftërat, inteligjenca artificiale, emergjenca klimatike, aborti dhe eutanazia. ”Bota po kalon një krizë të thellë shpirtërore dhe kulturore, e cila shfaqet në forma të shumta dhune, polarizimi dhe mosbesimi të ndërsjellë”, tha ai. “Në këtë kontekst, paqja nuk është vetëm një aspiratë politike, por një nevojë e vërtetë morale”.

Papa u tha politikanëve se kërkimi i paqes kërkon “guxim diplomatik, përgjegjësi etike” dhe vendosmërinë për të zgjidhur problemet përmes së drejtës ndërkombëtare, në vend që të mbështetet te “heshtja e përkohshme” që arrihet me armë. ”Prandaj është shqetësuese që në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë Evropën, riarmatimi po paraqitet sërish si një përgjigje pothuajse e pashmangshme ndaj brishtësisë së situatës ndërkombëtare”, shtoi Papa. “Siguria e vërtetë, përkundrazi, buron nga drejtësia, dialogu i durueshëm, respekti për të drejtën ndërkombëtare dhe nga një politikë që është e aftë të vendosë jetën e njerëzve mbi interesat e atyre që përfitojnë nga lufta.”

Pjesa më e madhe e fjalimit të tij, i pari i këtij lloji nga një Papë para Parlamentit spanjoll, iu kushtua emigracionit. Papa synon ta vërë në qendër të vëmendjes këtë çështje gjatë vizitës së tij njëjavore në Spanjë, e cila do të përfshijë edhe takime në Ishujt Kanarie me njerëz që kanë përshkuar rrugën e rrezikshme atlantike nga Afrika drejt Evropës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Papa, i pari amerikan në historinë e Kishës Katolike, është përplasur tashmë me administratën Trump për luftën ndaj Iranit dhe për trajtimin e emigrantëve. Vizita e tij në Spanjë zhvillohet në një kohë kur qeveria socialiste e vendit po sfidon tendencat evropiane duke legalizuar statusin e më shumë se 500 mijë emigrantëve dhe azilkërkuesve pa dokumente. Papa Leone u tha deputetëve dhe senatorëve spanjollë se shtetet kanë një detyrim moral për të pranuar dhe mbrojtur migrantët. “Drama tragjike e migracionit sfidon ndërgjegjen e kombeve dhe themelin etik të rendit ndërkombëtar. Shumë burra, gra dhe fëmijë detyrohen, shpesh nga rrethana dramatike, të largohen nga komunitetet e tyre dhe të braktisin të dashurit, historinë dhe lidhjet e tyre”, tha Papa.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai shtoi se “parimi universal i dinjitetit të barabartë të të gjithë njerëzve” shkelet kur njerëzit diskriminohen “për shkak të origjinës së tyre kombëtare, etnike, fetare ose gjuhësore, apo për shkak të statusit të tyre ekonomik dhe shoqëror”. Papa bëri thirrje për krijimin e “rrugëve të sigurta dhe ligjore” dhe për “mundësi reale integrimi”. Por ai gjithashtu i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të trajtojë shkaqet rrënjësore të migracionit, duke punuar që “askush të mos detyrohet të largohet nga shtëpia për shkak të mungesës së paqes, sigurisë ose kushteve dinjitoze të jetesës, për shkak të pabarazive ekonomike ose pasojave të krizës klimatike”.

Fjalimi i Papës, i cili u prit me një ovacion shtatëminutësh, përfshiu edhe një kujtesë mbi mësimet e Kishës për shenjtërinë e jetës njerëzore. “Çdo jetë njerëzore duhet të njihet dhe të mbrohet që nga ngjizja deri në vdekjen natyrore, në çdo rrethanë të ekzistencës së saj”, tha Ati i Shenjtë. “Kur kjo bindje errësohet, më të pambrojturit bëhen viktimat e para dhe ligji humbet kuptimin e tij më të thellë: t’i shërbejë dhe të mbrojë çdo person. Prandaj, madhështia morale e një kombi tregohet mbi të gjitha në aftësinë e tij për të shoqëruar, mbrojtur dhe dashur jetët më të brishta”, tha ai.

Aborti u dekriminalizua në Spanjë në vitin 1985 dhe legjislacioni u liberalizua në vitin 2010, duke u dhënë grave të drejtën për ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 14-të. Një ligj për eutanazinë u miratua në vitin 2021. Papa pritet të marrë pjesë në një takim me të mbijetuar të abuzimeve seksuale të kryera nga anëtarë të klerit katolik. Duke folur me ipeshkëvitë spanjollë para takimit, ai i përshkroi abuzimet si “një plage” dhe tha se Kisha duhet të përgjigjet “me dëgjim, me të vërtetë, me drejtësi dhe me dëmshpërblim.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?