
Papa Leone XIV bëri thirrje për pajtim dhe paqe gjatë një vizite në Kamerun, duke vlerësuar bashkëpunimin mes të krishterëve dhe myslimanëve në qytetin e Bamendas. Rajoni është përfshirë nga një konflikt që prej vitit 2017, me mijëra viktima në përplasjet mes forcave qeveritare dhe separatistëve, ndërsa qindra mijëra njerëz janë zhvendosur.
Kreu i Kishës Katolike e cilësoi këtë bashkëpunim si një shembull për vendet e tjera të botës. ”Do të dëshiroja që kjo të ndodhte në shumë vende të tjera të globit. Lum ata që bëjnë paqen! Por mjerë ata që manipulojnë fenë dhe emrin e Zotit për përfitime ushtarake, ekonomike dhe politike, duke e zhytur të shenjtën në errësirë dhe ndotje”, u shpreh ai. ”Bota po shkatërrohet nga një grusht tiranësh, por mbahet e bashkuar nga një shumicë vëllezërish dhe motrash solidarë”, tha Papa në një deklaratë.
Ai nuk specifikoi se cilët liderë i konsideron tiranë. Papa Leone XIV ka folur më herët kundër luftës me Iranin dhe, ditët e fundit, është kritikuar disa herë nga presidenti amerikan, Donald Trump. Një ditë më parë, Papa Leone i bëri thirrje qeverisë së presidentit afatgjatë, Paul Biya të intensifikojë përpjekjet për paqe, në një vend ku opozita politike, liria e shprehjes dhe ajo e medias mbeten të kufizuara. Më shumë se gjysma e popullsisë së Kamerunit identifikohet si e krishterë, ndërsa rreth një e katërta i përket besimit katolik dhe afro 20% janë myslimanë.
