Pasojat shkatërruese të derdhjes së naftës në brigjet kaliforniane
Kalifornia ndodhet në një gjendje emergjente pas një çarjeje të një prej tubacioneve të kompanisë “Plains All American Pipeline”, duke bërë që të derdhen në oqean rreth 400 mijë litra naftë, në afërsi të Santa Barbaras. Njolla e naftës vazhdon të përhapet përgjatë bregdetit, duke shkaktuar efekte shkatërruese si në faunën edhe në florën detare. Bëhet fjalë për derdhjen më të rëndë të naftës në këtë zonë që nga viti 1969 . Në kanalin e Santa Barbaras, uji i ftohtë që vjen nga veriu takohet me ujin e ngrohtë që vjen nga jugu duke dhënë një “mozaik” të pazakontë speciesh.
“Pyjet e algave (algat e madhe ngjyrë kafe) krijojnë një habitat tre-dimensional që strehon një sasi të madhe biodiversiteti”, thotë Bob Miller, biolog detar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara. Këto lloj algash rriten mbi 40 metra dhe shërbejnë si mbështetje për më shumë se 800 specie detare.
Gjethet e 5700 hektarë algave që shtrihen përgjatë bregdetit janë mbushur me naftë, duke krijuar “një lloj reje toksike” për të gjitha kafshët e egra përreth. Peshq të vegjël dhe jovertebrore, si gaforret apo molusqet, ushqehen me këto alga duke e shtrirë toksicitetin në pjesën tjetër të zinxhirit ushqimor. Gjitarët e mëdhenj si luanët e detit, shpesh kërkojnë ushqim mes gjetheve të tyre, të cilat kur shkëputen nga shtrati i detit vijnë në breg që shërbejnë si ushqim për shpendët dhe insektet.
Gjithashtu duhet të theksohet se rreth 19 mijë balena gri migrojnë përmes kanalit në këtë periudhë të vitit, ndonjëherë duke u afruar 30 metra nga bregu, një migrim ky që këtë herë mund t’u kushtojë jetën. Një rrezik tjetër shkatërrues është se nafta e shtyrë nga valët e detit ngjitet në vrimat e terrenit të thyer të zonës shkëmbore, që janë zona ekologjikisht të izoluara dhe të paarritshme.
Miller parashikon se shumë nga derdhjet e naftës do të pastrohen në një ose dy vjet, edhe pse akumulim i tij do të vazhdojë për shumë vite. Deri në 400 mijë litra naftë përfunduan në plazhet dhe ujërat e Kalifornisë më 19 maj si pasojë e një avarie në një tubacion që i përkiste kompanisë “Plains All American Pipeline”. Njolla e naftës u përhap në një vijë prej 14 kilometrash përgjatë bregdetit.