Pekini rimbyllet, shtohen rastet me Covid
Pekini rezistoi rreth 57 ditë pa raste të reja me koronavirus, por sëmundja tani po përhapet dita-ditës prej një afro një jave. Disa masa kufizuese kanë hyrë sërish në fuqi.
Pekini ka urdhëruar anulimin e mësimit në shkolla dhe të udhëtimeve jashtë qytetit pas shtimit të rasteve me kovidin e ri.
Pasi kaloi afro 60 ditë pa asnjë rast të vetëm, kryeqyteti kinez vetëm në një javë ka konfirmuar 137 persona të infektuar, 31 prej tyre vetëm një ditë më parë.
Qeveria izoloi të martën me dhjetëra lagje të konsideruara me risk të mesëm ose të lartë, duke u ndaluar banorëve të tyre daljen nga kryeqyteti.
Në zonat me rrezik më të ulët, banorët mund të largohen nëse ata testohen dhe rezultojnë jobartës të virusit.
Të gjitha klasat e ciklit të ulët dhe të lartë janë pezulluar, përfshirë disa linja fluturimi dhe hekurudhore deri në javën e dytë të korrikut, janë ndaluar lojërat me ekipe dhe janë mbyllur pishinat dhe palestrat sportive.
Shumica e rasteve me koronavirus kanë pasur si vatër tregun më të madh me shumicë të mishit dhe frutaperimeve në kryeqytet, drejtuesi dhe shumë zyrtarë të të cilit tashmë janë shkarkuar.
Ekspertët gjetën mbetje të infeksionit në tavolinat ku pritej salmoni, por paraprakisht mendohet se shkaktar i përhapjes së sëmundjes mund të ketë qenë një nga tregtarët, jo peshku vetë.
“Deri tani nuk ka prova që tregojnë se salmoni shërben si transmetues apo ndërmjetëson transmetimin e koronavirusit të ri. Megjithatë, nëse mendoni se rrezikoheni nga ekspozimi ndaj virusi, ose nëse keni pasur kontakt me pacientë apo ushqime të dyshimta, duhet sa më shpejt të monitoroni shëndetin dhe të bëni testin.”
Në mbarë territorin kinez, autoritetet raportuan të martën 44 raste të reja, nga të cilat 11 të importuara nga jashtë.
Vendi nuk raportoi viktima gjatë ditës por bilanci i jetëve të humbura deri tani ka kaluar 4,600.
Nga 83 mijë raste të konfirmuara nga fillimi i janarit, janë gjurmuar më shumë se 750 mijë kontakte, 4,600 prej tyre janë në vëzhgim mjekësor.