Pengu francez: Ja pika e dobët që shkatërron ISIS-­in

 

“Unë e di se nga çfarë ka frikë ISIS. Ata ushqehen me frikën tonë”.

Kështu ka deklaruar Nicolas Henin, një qytetar francez që për shumë kohë ka qenë peng i organizatës terroriste. Ai thotë se ka parë shumë prej shokëve të tij të vdesin me prerje kokë përpara se të lirohej. Dhe pas sulmeve të Parisit, ai flet nga eksperienca e tij për pikën e dobët të ISIS-it.

“Për momentin nuk ka asnjë strategji politike apo ushtarake se si duhet luftuar ISIS. Nëse ISIS do të bjerë, kjo do të ndodhë në sajë të një procesi politik. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe me zemër të fortë. Kjo është frika e tyre më e madhe. ISIS i priste bombardimet dhe për ta nuk është shqetësuese. Ata i shqetëson më shumë reagimi i europianëve. Nëse ne tmerrohemi dhe kapemi nga paniku, ISIS është fitues. Por nëse ne qendrojmë të bashkuar dhe rezistojmë ndaj kërcënimeve të tyre, morali i tyre do të bjerë përtokë. Ata ushqehen me frikën tonë”, ka thënë Henin. Henin rrëfen më pas edhe momentet e tmerrshme të burgut.

“Të gjithë pengjeve që u është prerë koka në 2014, kanë qenë shokët e mi të qelisë. Çdo ditë një xhihadist vinte në qelinë tonë dhe thoshte: nesër një prej jush do të vdesë”, ka rrëfyer Henin.

Ai shton se frika në sytë e pengjeve u jepte zemër xhihadistëve.

“Sa herë që shikonin një peng pranë ekzekutimit duke qarë nisnin të qeshnin dhe i kapte një eufori idiote. Frika e kundërshtarit u jep atyre fuqi dhe kurajë”, përfundoi Henin.

SHKARKO APP