Përgjimi i vrasjes së gazetarit, Trump: Kaseta me Khashoggi-n ka dhunë, e tmerrshme
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vënë në dijeni të një kasete që tregon momentet e fundit të vdekjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Presidenti Donald Trump, tha të dielën se ai nuk ka pranuar ta dëgjojë kasetën për shkak të dhunës dhe tmerrit që ajo përmban. Raporti i Shërbimeve amerikane të Inteligjencës pritet të publikohet të martën.
Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka pranuar të dëgjojë një inçizim të momenteve të fundit të vdekjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
Në një intervistë për televizivion “Fox News”, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ai ishte vënë në dijeni të rrethanave brutale të vrasjes përmes burimeve presidenciale.
Donald Trump: Është një ngjarje shumë e dhimbshme, dhe kaseta tregon vuajtjet e Khashoggit. Ka shumë dhunë, sjellje barbare. Është e tmerrshme.
Presidenti Trump tha se në bisedat e shpeshta që ka pasur prej kohësh me princin e kurorës të Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, atij i është thënë se princi nuk është i përfshirë në ngjarje.
Ai pranoi, megjithatë, se njerëzit afër udhëheqësit arab mund të kenë marrë pjesë në vendimmarrje, por shtoi se aleanca me Arabinë Saudite ishte tepër e rëndësishme për ta rrezikuar me supozime, për shkak të ndikimit të vendit në luftërat rajonale.
Ndërkohë, një raport i papublikuar i CIA-s, tregoi të premten se Bin Salman ka qenë personi që urdhëroi vrasjen e gazetarit
Khashoggi në Konsullatën saudite më 2 tetor.
Javën e kaluar, administrata amerikane ka vendosur sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë për rolin e dyshuar në vrasje, por ligjvënësit amerikanë kanë kërkuar masa më të ashpra, përfshirë reduktim të shitjes së armëve në Arabinë Saudite.
KOHA JONË SONDAZH

