Përhapja e koronavirusit, PE anulon seancën, Sassoli: Nëse do të shkonim, i gjithë personeli do futej në karantinë
Seanca e javës së ardhshme e Parlamentit Evropian në Strasburg u anulua, për shkak të përhapjes së koronavirusit në qytetin francez.
Seanca tani do të mbahet në kryeqytetin belg, Bruksel, tha kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli.
“Jemi shumë të pikëlluar nga ky vendim, por transferimi i operacionit administrativ të Parlamentit Evropian do të thoshte që i gjithë personeli të futej në karantinë pas kthimit në Bruksel”, tha Sassoli.
Parlamenti i BE-së zakonisht mblidhet një herë në muaj në Strasburg, për të votuar legjislacionin dhe për të diskutuar çështje politike.
Seanca e ardhshme, e planifikuar për 14-17 shtator, do të ishte e para në Strasburg qëkur janë ndërmarrë masat për kontrollimin e koronavirusit në muajin mars.
Por, eurodeputetët shprehën rezistencë ndaj mbledhjes në qytetin e Strasburgut, i cili së voni është shpallur “zonë e kuqe” e koronavirusit, raporton BBC.
Numri i të infektuarve me koronavirus në Francë ka kaluar 373,000, ndërsa në Belgjikë është mbi 88,000.