Përmbytet Jordania, 11 të vdekur, evakuohen 3700 tursitë
Numri i të vdekurve nga përmbytjet prej shirave të dendur në Jordani ka shkuar në 11 persona, sipas mediave lokale dhe detyroi autoritetet të evakuojnë më shumë se 3.700 turistë nga qyteti i lashtë Petra.
Raportet e së shtunës erdhën një ditë pasi përmbytjet goditën disa zona të Jordanisë, përfshirë Petran, dhe kërkimet për njerëzit e zhdukur vazhdojnë.
Zëdhënësja e qeverisë, Jumana Ghuneimat dhe zyrtarë të mbrojtjes civile thonë se numri i të vdekurve u rrit herët të shtunën, pasi një trup tjetër u gjet në rajonin e Madaba në jug të kryeqytetit të Ammanit.
Qindra vizitorë të Petrës mbetën të bllokuar, teksa niveli i ujit u ngrit në një kanion të ngushtë që të çon pranë Thesarit, atraksioni kryesor turistik i Petrës.
Vizitorët u dërguan në zona të sigurta para se përmbytjet të përshkonin pjesët kryesore të qytetit malor të famshëm për gërmadhat e gdhendura të gurit, tha zëdhënësja e qeverisë, Jumana Ghunaimat.
Autoritetet deklaruan gjendjen e jashtëzakonshme në portin e Detit të Kuq të Aqabës në jug.
Një autostradë e madhe që lidh Ammanin me jugun ishte gjithashtu e mbyllur. Qeveria njoftoi mbylljen e universiteteve dhe shkollave të shtunën dhe xhamitë u hapën për strehimin e civilëve në zonat e goditura nga përmbytjet.
Dy javë më parë, 21 vetë, kryesisht fëmijë, vdiqën nga përmbytjet e shpejta gjatë një shëtitjeje në shkollë në rajonin e Detit të Vdekur, në një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore të vendit në dekada.
Politikanët dhe anëtarët e publikut kritikuan shërbimet e urgjencës në atë kohë, duke thënë se ekipet ishin të papërgatitur dhe dy ministra u detyruan të jepnin dorëheqjen pasi një komision parlamentar gjeti neglizhencë.
KOHA JONË SONDAZH

