Përplasën për vdekje të moshuarin dhe u larguan, arrestohen dy shqiptarët në Britani
Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet britanike pas një ngjarjeje të rëndë rrugore që i mori jetën një këmbësori rreth të 80-ave. Ngjarja ka ndodhur në autostradën A289, në zonën Gads Hill të Gillingham, në qarkun Kent, pak pas mesditës së së hënës.
Sipas Policisë së Kentit, viktima u gjet pa shenja jete në rrugën Grange Road, pasi ishte përplasur nga një automjet. Hetimet e menjëhershme çuan në identifikimin e dy personave që dyshohet se u larguan nga vendi i ngjarjes pas aksidentit.
A.Matraxhiu, 28 vjeç, banues në Edgware, në veri të Londrës, është akuzuar për vrasje, ndërsa E. Paci, 29 vjeç, nga Chatham në Kent, përballet me akuzën e prishjes së provave. Të dy të rinjtë shqiptarë pritet të dalin para gjykatës të premten.
Policia kishte shpallur kërkimet për ta pasi publikoi pamje nga kamerat e sigurisë, ku shfaqeshin dy persona duke u larguar nga vendi i aksidentit. Autoritetet britanike vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
Burimi: The Sun



KOHA JONË SONDAZH

