Përplasja me gjigandët e tenologjisë
A po e përdorin kompanitë gjigande të teknologjisë fuqinë e tyre monopol për të mbrojtur dhe zgjeruar mbizotërimin që kanë në tregun dixhital amerikan? Kjo është çështja bazë të cilën institucionet e antitrustit në SHBA – Departamenti i Drejtësisë, Komisioni Federal i Tregtisë dhe një numër i madh i prokurorwve të shteteve – po hetojnë duke shqyrtuar pozicionin e katër gjigandëve të teknologjisë.
Dy grupe prokurorësh të përgjithshëm janë duke hetuar Alphabet Inc. Google dhe Facebook Inc. Pesëdhjetë prokurorë të përgjithshëm të shteteve të SHBA, të udhëhequr nga Teksasi, janë bërë bashkë në hetimin e Google. Hetimi për Facebook është konfirmuar në fillim të shtatorit nga Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut, që drejton grupin e hetimit. Por insiutucionet federale të antitrustit përveç Google dhe Facebook, po hetojnë gjithashtu edhe Amazon.com Inc. dhe Apple Inc.
Nëse hetimet nxjerrin që abuzimi me pozitën monopol ka ndodhur, siç e parashikojnë shumë ekspertë, institucionet e antitrustit do të cojnë para Gjykatave përkatëse të shteteve cështjen më të madhe të abuzimit me monopolin, që nga koha kur Departamenti i Drejtësisë paditi Microsoft Corp. dy dekada më parë. Më poshtë janë renditur cështjet mbi të cilat po hetojnë institucionet e antitrustit në SHBA, dhe mbrojtjet e mundshme që do të bëjnë kompanitë, duke u bazuar në dëshmitë e dhëna para Kongresit dhe Komisionit Federal të Tregtisë, si edhe mbi intervista me studiues të antitrustit dhe zyrtarë që kanë dijeni për hetimet paraprake të qeverisë amerikane.
Çështjet nën hetim:
Google ka përdorur mbizotërimin që ka në kërkimin në internet për të forcuar mbizotërimin e
vet në reklamimin në internet, duke krijuar një avantazh të padrejtë ndaj rivalëve dhe publikuesve të tjerë që shesin dhe vendosin reklama në internet. Google, pjesërisht edhe falë blerjeve të tilla si Double-Click, ka shfrytëzuar mbizotërimin në mjetet e softuerit mbi çdo reklamues dhe faqe tjetër në internet, duke përfshirë edhe platformat kryesore që lidhin blerësit dhe shitësit e reklamave të ekranit. Ky status prej ndërmjetësi i ka dhënë kompanisë fuqi të madhe, veçanërisht ngaqë askush tjetër nuk ka aq të dhëna sa Google disponon për botuesit, reklamuesit dhe të tjerët që kërkohen nga konsumatorët.
Google ka zgjeruar ose mbajtur pjesën e vet në tregun e shitjes së reklamave në internet duke përjashtuar të tjerët që mund të garojnë, përmes kushteve kontraktuale me klientët, që e bëjnë më të vështirë për reklamuesit dhe emetuesit e tjerë që të punojnë me bizneset e tjera të reklamave. Reklamuesit mendojnë se duhet të përdorin më shumë produktet e Google, sesa ato të kompanive të tjera. Kështu që nga viti 2016, Google ka nisur të kërkojë që reklamuesit të përdorin mjetet e saj për të blerë reklama në kanalin e vet në YouTube.
Google përdor bizneset e vet dominues për të favorizuar padrejtësisht produkte dhe shërbime të tjera të vetat në kurriz të rivalëve. Google si platforma bazë e kërkimeve në internet favorizon ofertat e veta, dhe për këtë Bashkimi Evropian i ka vendosur gjobë prej 2.7 miliardë dollarë në 2017. Një studim i fundit ka treguar se më shumë se gjysma e kërkimeve në celularë dhe kompjutera bëhen në Google përkundër pjesës më të vogël që bëhet në faqet e tjera jo-Google. BE vendosi gjithashtu një gjobë prej 5 miliardë dollarësh për Google pas gjetjeve se prodhuesve të smartphone që përdorin sistemin operativ Android të Google kishin parainstaluar aplikacionin e kërkimit të Google dhe shfletuesin e tij Chrome në pajisjet e tyre.
Mbrojtja që bën kompania:
Google ka një vend të lakmueshëm në reklamimin në internet, por nuk ka fuqi monopol në çmime. Google garon me kompani të tjera të mëdha të teknologjisë për reklama në dollarë, dhe kërkesa e dobët për modelet e vjetra të reklamave është arsyeja që reklamuesit e tjerë nuk kanë më shumë sukses në reklamat dixhitale.
Veprimet e Google orientohen nga qëllime të tilla siç janë dhënia e informacionit që përdoruesit dëshirojnë, sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndonjëherë kjo do të thotë t’i drejtosh ato në faqet dhe shërbimet e Google. Ka një vendim të Gjykatës Supreme që thotë se ndërmarrje të tilla si Google nuk janë të detyruara të ndihmojnë në promovimin e një rivali. Në një vendim të vitit 2004, Gjykata e Lartë hodhi poshtë prertendimin e antitrusti se Verizon Communications Inc. ofronte shërbim të pamjaftueshëm për rivalët duke përdorur linjat e saj të telefonit.
Shumica e shërbimeve të Google janë falas për publikun, dhe konsumatorët.
Çështjet nën hetim:
Facebook ka mbajtur dhe ruajtur mbizotërimin e vet përmes një modeli të blerjeve të kompanive që ishin një kërcënim për konkurencë. Nga afro 90 ndërmarrje që Facebook ka blerë në 15 vjet, dy dallohen si rivalë që mund ta kishin sfiduar atë: Instagram (2012), dhe WhatsApp (2014). Hetuesit e antitrustit besojnë se është e paligjshme që një kompani të blejë startup-et me qëllim të eleminimit të rivalëve të ardhshëm. Si Departamenti i Drejtësisë ashtu edhe Komisioni Federal i Tregtisë e kanë shprehur këtë.
Facebook fitoi fuqi monopol përmes shkeljes së premtimeve për privatësinë. Përballë konkurrencës në fillim të viteve 2000, Facebook u dallua midis rivalëve duke u premtuar konsumatorëve mbrojtje të shkëlqyer të privatësisë. Pastaj, kur Facebook u bë platformë mbizotëruese e mediave sociale, jo gjithmonë i respektoi premtimet e privatësisë. Komisioni Federal i Tregtisë i vendosi këtë vit Facebook një gjobë rekord prej 5 miliardë dollarë për shkelje të privatësisë. Bazuar në Aktin Sherman, është e paligjshme që një kompani të fitojë fuqi monopol duke shkelur “garën e lirë”.
Facebook abuzoi me mbizotërimin e tregut duke e shfrytëzuar ndjekjen efektive nga konsumatorët për të përcjellë tek ata reklama të internetit, duke i përjashtuar konkurrentët nga kjo garë. Argumenti thotë se Facebook nuk mund të shfrytëzojë mbizotërimin e tij për të bindur konsumatorët të pranojnë kushte që i mundësojnë kompanisë të përdorë të dhënat e tyre personale, në kushtet kur ata nuk mund të refuzojnë pasi nuk ka një platformë me të vërtetë konkurruese në mediat sociale.
Facebook shfrytëzoi fuqinë e të dhënave dhe i ndau ato me partnerët strategjikë ndërsa pengoi qasjen për konkurrentët e tij të mundshëm, të tillë si Twitter Inc. dhe Vine, një aplikacion video që tashmë është mbyllur.
Mbrojtja që bën kompania:
Facebook thotë se nuk ka fuqi monopol dhe se po përballet me rivalë të shumtë, duke përfshirë Twitter, Snapchat, Apple, Pinterest, Skype të Microsoft, Google dhe Amazon. Konkurrenca është e fuqishme sepse “pengesat për hyrjen në treg të platformave dixhitale janë të ulta”, tha Matt Perault, drejtori i politikave publike në Facebook, në dëshminë e tij para Kongresit. Kompania gjithashtu po përballet me konkurrencë në rritje për kohën e qëndrimit nga përdoruesit: “Përdoruesit gjithnjë e më shumë ndajnë kohën e tyre ndërmjet gjithnjë e më shumë shërbimeve,” tha z. Perault.
Facebook ka blerë kompani që kanë natyrë plotësuese, për ta bërë platformën e vet një mundësi gjithnjë e më të mirë për konsumatorët – dhe jo me qëllimin për të nxjerrë ndonjë konkurrent jashtë biznesit. Gjithashtu, Facebook argumenton se kompanitë e blera nuk do të ishin rritur në të njëjtën masë pa investimet dhe njohuritë e Facebook-ut.
Amazon
Çështjet nën hetim:
Rritje e Amazon ka ndrydhur furnizuesit dhe dëmtuar shitësit rivalë, duke krijuar disavantazhe për konsumatorët, të tilla si: cilësia e ulët e produkteve dhe rënia e inovacionit. Amazon nuk është vetëm një shitës i produkteve të veta, por është gjithashtu një platformë mbizotëruese për shitjet nga palët e treta. Ata tani bëjnë më shumë se gjysmën e shitjeve të përgjithshme të kompanisë. Shitësit e palëve të treta thonë se Amazon vendos tarifa dhe kushte që kompanitë i vlerësojnë të larta dhe që nuk do të ishin aq në kushtet e një konkurrence të vërtetë në internet, si dhe përfiton nga aksesi që fiton në të dhënave e tyre të shitjeve dhe të marrëdhënieve me klientët. “Do të ishte sikur Walmart të zotëronte qendrat tona dhe Rrugët Kryesore, të vendoste se cilat firma mund të vepronin në këto hapësira dhe me çfarë termash, dhe të vëzhgonte çdo lëvizje që ata bëjnë,” tha Stacy Mitchell, bashkëdrejtoreshë e Institutit për Vetëqeverisje Lokale, një grup avokatie për biznese të pavarura, në dëshminë e saj para Kongresit.
Taktikat e Amazon mund të çojnë në çmime më të larta në faqet e tjera të internetit. Disa shitës që mund të shesin produktet e tyre më lirë gjetkë, me tarifa më të ulëta se ato të Amazon, thonë se kanë frikë ta bëjnë këtë. “Nëse ne i shesim produktet tona më lirë në kanale jashtë Amazon dhe Amazon e zbulojnë këtë, produktet tona nuk do të shfaqen dukshëm në kërkim,” shkroi shitësi i lodrave Molson Hart në një postim në Medium në korrik, pasi kishte folur edhe me Komisionin Federal të Tregtisë.
Amazon ka kufizuar konkurrencën duke larguar disa shitës nga faqja e vet. Pasi Apple arriti një marrëveshje për të shitur pajisje në Amazon, shitësit e palëve të treta që shisnin produkte të rinovuar të Apple thonë se janë hequr nga Amazon.
Mbrojtja që bën kompania:
Rritja e Amazon ka ardhur në saj të vendosmërisë për t’u ofruar konsumatorëve çmime të ulëta dhe kompania ka konkurruar në mënyrë të drejtë dhe ligjore. Kompania ka investuar në mbështetjen e shitësve të palëve të treta dhe dëshiron që ata të kenë sukses. Nga kjo qasje kanë përfituar konsumatorët “në formën e çmimeve konkurruese, zgjedhje të shkëlqyeshme dhe komoditetit të pashembullt,” tha këshilltari i përgjithshëm i Amazon, Nate Sutton në nënkomitetin antitrust në korrik. Amazon gjithashtu është larg nga monopoli i shitjeve me pakicë, tha zoti Sutton, sepse 90% e shitjeve me pakicë në SHBA ende bëhen brenda dyqaneve me tulla e llaç. Amazon thotë se nuk përdor të dhëna specifike për shitësin në krijimin e produkteve me etiketa private dhe ofron më pak mallra me etiketa private sesa shumë rivalë me pakicë.
Apple
Çështjet nën hetim:
Apple ka përdorur platformën e saj për aplikacione iPhone për të favorizuar produktet dhe shërbimet e veta mbi ofertat rivale. Një analizë e Wall Street Journal e botuar në korrik zbuloi se në App Store, aplikacionet e veta celularë të Apple shfaqen në mënyrë rutinore në rend të parë në rezultatet e kërkimit përpara atyre të konkurentëve. Shërbimi i transmetimit të muzikës Spotify është ankuar tek autoritetet antitrust të SHBA-së dhe ka paraqitur një ankesë në krahun antitrust të BE-së duke pretenduar se Apple e bën të vështirë që shërbimet e abonimeve të shiten te përdoruesit pa përdorur sistemin e pagesave të Apple, i cili përgjithësisht kërkon një ulje të transaksioneve 30%.
Kompania vendos çmime të larta në App Store-in e saj sepse përdoruesit e iPhone e kanë të pamundur të blejnë aplikacione diku tjetër. Kjo kërkesë nxiti një padi private antitrusti që ka marrë dritë jeshile për tu proceduar nga Gjykata Supreme. Konsumatorët kanë ngecur me kushtet e kompanisë sepse është e kushtueshme të kalosh në një pajisje rivale.
Mbrojtja që bën kompania:
Apple nuk ka monopol në asgjë, iPhone-t kanë më pak se një 50% të tregut në SH.B.A.
Apple thotë se platforma e saj e mbyllur mbron të dhënat e konsumatorëve. Duke u kërkuar përdoruesve të iPhone të blejnë ekskluzivisht nga dyqani i Apple, Apple siguron që softveri të jetë i sigurt dhe nuk do të kompromentojë iPhonet e përdoruesve me viruse ose spyëare. Dhe nëse favorizmi i Apple ka dëmtuar rivalët, atëherë pse konsumatorët e kanë shkarkuar Spotify 300 milion herë në App Store?
Apple nuk ka asnjë procedim ligjor të rëndësishëm për shkelje të konkurrencës, thonë avokatët e kompanisë. Por Apple është dënuar më parë nga autoritetet antitrust. Në vitin 2012, Departamenti i Drejtësisë paditi kompaninë për marrëveshje me botuesit për të rritur çmimin e librave elektronikë. Gjykatat vendosi se veprimi i Apple ishte antikonkurrues dhe kompania u gjobit me 450 milion dollarë.(scan)