Përse Trump refuzoi përgjigjen e Iranit ndaj propozimit të fundit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës
Irani i ka dërguar të dielën përgjigjen e tij ndaj propozimit më të fundit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit, përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por presidenti amerikan Donald Trump e hodhi poshtë menjëherë me një postim në rrjetet sociale, duke e cilësuar si “plotësisht të papranueshme”.
“Letra e tyre nuk më pëlqen. Është e papërshtatshme. Nuk më pëlqen përgjigjja e tyre,” deklaroi Trump, duke refuzuar të japë më shumë detaje mbi përmbajtjen e përgjigjes së Iranit.
“Ata kanë mashtruar dhe manipuluar shumë kombe për 47 vite,” shtoi ai duke folur me Axios.
Ky zhvillim përbën një tjetër goditje për përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës në Gjirin Persik, e cila ka goditur rëndë transportin detar dhe ka shkaktuar rritje të forta të çmimeve të energjisë.
Sipas mediave shtetërore iraniane, Teherani e refuzoi ofertën amerikane duke e konsideruar atë si një kërkesë për dorëzim. Autoritetet iraniane kërkojnë kompensim lufte nga SHBA, njohje të plotë të sovranitetit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit, heqjen e të gjitha sanksioneve dhe lirimin e aseteve iraniane të bllokuara.
Propozimi amerikan kishte si synim ndalimin e konfliktit, rihapjen e ngushticës strategjike për lundrim ndërkombëtar dhe kufizimin e programit bërthamor iranian.
Trump nuk dha detaje konkrete mbi arsyet e refuzimit, por në një reagim të mëhershëm akuzoi Iranin se po manipulon diplomacinë amerikane prej dekadash, duke paralajmëruar se kjo situatë nuk do të tolerohet më.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, deklaroi se SHBA po i jep diplomacisë çdo mundësi të fundit përpara rikthimit të mundshëm të operacioneve ushtarake.
Ndërkohë, media shtetërore iraniane raportoi se lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili nuk është shfaqur publikisht që nga fillimi i luftës, ka dhënë urdhra të rinj për vazhdimin e operacioneve dhe përballjen e fortë me kundërshtarët, pas një takimi me drejtuesit e komandës së përbashkët ushtarake.
Tensionet në rajon mbeten të larta. Armëpushimi i brishtë u vu në provë pasi një dron shkaktoi zjarr në një anije pranë Katarit, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti raportuan hyrje dronësh në hapësirat e tyre ajrore. Emiratet njoftuan se rrëzuan dy dronë dhe drejtuan gishtin nga Irani. Nuk raportohet për viktima dhe deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë.
Katari e cilësoi incidentin si një përshkallëzim të rrezikshëm që kërcënon sigurinë e rrugëve detare dhe furnizimeve jetike në rajon.
Që nga nisja e konfliktit pas sulmeve amerikano-izraelite më 28 shkurt, Irani dhe grupet e tij aleate, përfshirë Hezbollah-un libanez, kanë përdorur dronë në qindra sulme në rajon.
Trump ka përsëritur kërcënimet për rifillimin e bombardimeve në shkallë të gjerë nëse Irani nuk pranon marrëveshjen për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe kufizimin e programit bërthamor.
Irani ka kufizuar ndjeshëm kalimin në këtë korridor strategjik, i cili është jetik për tregtinë globale të naftës, gazit natyror dhe plehrave kimike, duke tronditur tregjet ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, ushtria amerikane ka vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane që prej 13 prillit, duke deklaruar se ka ndaluar dhjetëra anije tregtare dhe ka neutralizuar disa mjete detare. Vetëm të premten, SHBA goditi dy cisterna iraniane që sipas saj po përpiqeshin të thyenin bllokadën.
Roja Revolucionare iraniane ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj cisternave apo anijeve tregtare iraniane do të marrë përgjigje të ashpër ndaj bazave amerikane dhe objektivave armike në rajon.
Një zëdhënës ushtarak iranian deklaroi se forcat iraniane janë në gatishmëri të plotë për të mbrojtur objektet ku ruhen rezervat e uraniumit.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Irani zotëron mbi 440 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60%, një nivel shumë pranë standardit të nevojshëm për armë bërthamore.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se konflikti nuk mund të konsiderohet i mbyllur derisa uraniumi i pasuruar të nxirret jashtë Iranit, duke lënë të kuptohet se mund të ketë operacione të tjera ushtarake.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka konfirmuar se oferta e Moskës për të marrë uraniumin e pasuruar iranian si pjesë e një marrëveshjeje diplomatike mbetet ende në tryezë.
Pjesa më e madhe e uraniumit iranian besohet të ndodhet në kompleksin bërthamor të Isfahanit, i cili ka qenë objektiv i sulmeve të mëparshme amerikano-izraelite.
KOHA JONË SONDAZH

