Përvjetori i pavarësisë së Kroacisë, Sheshel djeg flamurin kroat

Lideri i partisë nacionaliste serbe, Vojislav Sheshel dhe anëtarë të partisë së tij, kanë djegur sot flamurin e Kroacisë para Ambasadës kroate në Beograd gjatë një proteste që ata organizuan për të shënuar përvjetorin e 20­të të operacionit katër­ditor të Kroacisë “Shtrëngata”. Ndërkaq po sot, Kroacia parakaloi me artilerinë ushtarake dhe valoi flamujt për të shënuar 20-vjetorin e pavarësisë nga Serbia, ndërsa kjo e fundit e quajti këtë ngjarje si “spastrimin më të madh etnik që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç, kritikoi politikanët serbë dhe i këshilloi ata që “të shkunden nga mitet, gënjeshtrat dhe mashtrimet”. “Kur politikanët serbë deklarojnë sot se me operacionin ‘Shtrengata’ (Oluja) është kryer gjenocid ndaj serbëve dhe e krahasojnë atë me gjenocidin në Srebrenicë, unë u them: Zotërinj, shkunduni nga mitet, gënjeshtrat dhe mashtrimet; kthehuni kah e ardhmja evropiane. Kroacia nuk është armik i Serbisë dhe mos mbillni fara të reja të këqija”, ka thënë Grabar Kitaroviç. 

SHKARKO APP